BDI dhe Aleanca për Shqiptarët kanë reaguar pas publikimit të rezultateve të ndarjes së granteve nga Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, e udhëhequr nga Ivan Stoilkoviç. Të dy subjektet politike theksuan se shpërndarjet janë diskriminuese dhe fyese ndaj komunitetit shqiptar, duke e akuzuar Stoilkoviqin për politikë të qëllimshme përjashtuese. Ndërsa BDI kërkon auditim dhe përgjegjësi institucionale, Aleanca ngre alarmin për bashkëpunime të rrezikshme brenda qeverisë dhe akuzon partnerët e dikurshëm të saj për heshtje dhe tradhti ndaj interesave shqiptare.“Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim serioz për mënyrën diskriminuese të ndarjes së granteve nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndëretnike, e udhëhequr nga lideri serb Ivan Stoilkoviç. Në listën e publikuar në Gazetën Zyrtare nr. 121, më 17 qershor, vërehet një qasje e hapur favorizuese ndaj shoqatave të komunitetit serb dhe margjinalizuese ndaj organizatave shqiptare – me vetëm 3 projekte të përzgjedhura për shqiptarët, krahasuar me 5 për shoqata serbe dhe disa të tjera për komunitete jo-shumicë”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Çështje tjetër shqetësuese për ASH-në është publikimi nga zëvendëskryeministri Arben Fetai, i cili më 3 qershor – plot 14 ditë para publikimit zyrtar të listës fituese – shpalli një shoqatë nga vendlindja e tij si përfituese të grantit qeveritar. Ata i bëjnë thirrje publike Fetait që të sqarojë këtë veprim të dyshimtë, “sepse transparenca selektive nuk është progres – është manipulim dhe përdorim politik i pozitës për interesa të ngushta”.
“E pyesim Arben Fetain dhe shefin e tij, Adnan Azizi, a është Ivan Stoilkoviç sponsor i tentativës për të përçarë Aleancën për Shqiptarët? A e kupton koalicioni VLEN se është bërë pjesë e komprometimit të interesave shqiptare, përmes bashkëpunimit me figura si Stoilkoviç dhe Angelov – të cilët pa asnjë pengesë imponojnë agjenda që dëmtojnë shqiptarët, shkarkojnë drejtorë shqiptarë sipas qejfit dhe shtyjnë përpara ligje të dënueshme si ai për “Branitellat”, që fyen historinë dhe dinjitetin kombëtar të shqiptarëve?”, thuhet në reagim
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim reagoi ndaj mënyrës skandaloze të shpërndarjes së fondeve për shoqatat qytetare nga Ministria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, e drejtuar nga zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq.
“Sipas të dhënave të publikuara nga mediat, rezultatet janë këto: 29 projekte për shoqata maqedonase, 5 projekte për shoqata serbe, 3 projekte për shoqata rome dhe vetëm 3 projekte për shoqata shqiptare. Kjo nuk është vetëm shpërndarje e pabalancuar, është politikë e qëllimshme diskriminuese. Shqiptarët, të cilët përbëjnë një ndër komunitetet më të mëdha dhe aktive në vend, janë fshirë nga lista e përfituesve në mënyrë sistematike, edhe në një ministri që ka për detyrë të ruajë balancat ndëretnike dhe përfaqësimin e drejtë. Ivan Stoilkoviq, me pozicionet e tij të njohura anti-shqiptare dhe lidhjet me qarqe jashtë interesit shtetëror të RMV-së, po përdor institucionin për të ushqyer ndasi, përjashtim dhe propagandë, në vend që të ndërtojë besim ndërmjet komuniteteve”, thuhet në reagimin e BDI-së.
BDI kërkon auditim të menjëhershëm institucional për këtë skandal me përmbajtje etnike të theksuar; përgjegjësi politike dhe institucionale për Stoilkoviqin.