Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Çair ka shprehur shqetësim të thellë me, siç thuhet në reagimin drejtuar mediave, vazhdimin e ndërtimeve pa leje në territorin e Komunës së Çairit, përfshirë edhe zona me rëndësi të veçantë historike dhe urbane, si Çarshia e Shkupit. Sipas reagimit të kësaj dege, qytetarë të shumtë po kontaktojnë çdo ditë strukturat e BDI-së në Çair, duke raportuar raste konkrete të uzurpimit të hapësirave publike, ngritjes së objekteve pa asnjë procedurë ligjore dhe dëmtimit serioz të mjedisit jetësor.Ky realitet po shndërrohet në një plagë të hapur për Çairin dhe po cenon drejtpërdrejt cilësinë e jetës së qytetarëve, sigurinë dhe identitetin urban të komunës sonë”, thuhet në reagim.
Nga BDI-Dega Çair theksojnë se nuk do të qëndrojnë të heshtur përballë asaj që e cilësojnë si degradim korruptiv të hapësirës publike. Ata paralajmërojnë se, në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët, do të denoncojnë publikisht çdo rast të ndërtimit të paligjshëm, si dhe çdo formë të bashkëpunimit institucional që mundëson këto veprime.BDI – Dega Çair nuk do të tolerojë shndërrimin e komunës në terren për ndërtime të paligjshme dhe pazare korruptive. Çdo rast do të bëhet publik dhe do të kërkohet përgjegjësi. I bëjmë thirrje Komunës së Çairit të ndërpresë menjëherë çdo formë bashkëpunimi apo partneriteti me aktivitete të tilla të paligjshme, ndërsa Prokuroria dhe institucionet kompetente ftohen të veprojnë pa vonesë, në përputhje me ligjin dhe interesin publik. Çairi nuk është pronë private dhe as terren për pazare”, përfundon reagimi i Degës së BDI-së në Çair.
