5.1 C
Tetovo
E hënë, 9 Mars, 2026
BallinaLajmeBDI-Çair: Kampusi i UNT-së po shtyhet deri në vitin 2061, për këtë...

BDI-Çair: Kampusi i UNT-së po shtyhet deri në vitin 2061, për këtë vit janë ndarë vetëm 900 mijë euro

Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair ka reaguar pas ceremonisë për fillimin e ndërtimit të kampusit të Universitetit “Nënë Tereza”, duke akuzuar Qeverinë se projekti po përdoret për propagandë politike, ndërsa financimi real në buxhet është minimal.

Në reagimin e tyre drejtuar mediave, nga BDI-Çair theksojnë se ndonëse u organizua një ceremoni e madhe me pjesëmarrjen e kabinetit qeveritar dhe me shumë deklarata publike, realiteti financiar i projektit tregon një situatë krejtësisht tjetër.

Sipas tyre, kontrata për ndërtimin e kampusit është nënshkruar me kompaninë “Stenton” nga Manastiri, me vlerë prej 2.1 miliardë denarësh (rreth 34.3 milionë euro) dhe me afat realizimi 60 muaj, që do të thotë se projekti duhet të përfundojë në vitin 2029.

Megjithatë, siç theksohet në reagim, për realizimin e këtij projekti në Buxhetin e vitit 2026 janë paraparë vetëm 55 milionë denarë, ose rreth 900 mijë euro, që sipas BDI-së, përbën vetëm 2.6 për qind të vlerës totale të projektit.

“Me këtë ritëm të financimit, kampusi nuk mund të përfundojë në vitin 2029. Ai do të përfundojë në vitin 2061. Kjo do të thotë se studentët e sotëm nuk do ta shohin këtë kampus, ndoshta do ta shohin fëmijët e tyre”, thuhet në reagim.Nga kjo parti vlerësojnë se një projekt i këtij niveli nuk mund të realizohet me ceremonira simbolike dhe deklarata politike, por kërkon plan financiar real dhe të garantuar.

“Një projekt i tillë nuk ndërtohet me fotografi për Facebook dhe propagandë politike. Ai ndërtohet me plan financiar të qartë, me mjete të siguruara dhe me afat të besueshëm realizimi”, theksojnë nga BDI-Çair.

Në reagim gjithashtu akuzohen përfaqësuesit e koalicionit qeveritar VLEN, për të cilët thuhet se po premtojnë projekte për shqiptarët pa mbulesë reale buxhetore. Sipas tyre, i njëjti model po shihet edhe te Korridori 8, projekt që sipas BDI-së është nisur nga qeveria e kaluar, ndërsa sot rrezikon të ngadalësohet për shkak të mungesës së financimit.

BDI-Çair kërkon nga Qeveria të japë përgjigje të qarta për disa çështje kyçe: Pse për një projekt prej afro 35 milionë eurosh janë siguruar vetëm 900 mijë euro për vitin 2026? Cila është dinamika reale e financimit për vitet në vijim? Si do të respektohet afati prej 60 muajsh, kur buxheti aktual mbulon vetëm 2.6% të kostos?

“Universiteti ‘Nënë Tereza’ nuk mund të trajtohet si dekor i propagandës qeveritare. Ai duhet të jetë simbol i investimit real në arsimin shqip dhe në perspektivën e rinisë”, thuhet në reagim.

Nga BDI-Çair theksojnë se ky universitet është projekt që është themeluar dhe ndërtuar me shumë përpjekje, ndaj nuk duhet të shndërrohet në instrument të marketingut politik.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments