Bashkimi Demokratik për Integrim e dënon ashpër përjashtimin e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera nga procesi i fundit i punësimit në Armatën dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Nga 74 të punësuarit e fundit:
71 janë maqedonas,
2 janë nga komuniteti rom,
vetëm 1 është shqiptar,
asnjë nga komunitetet e tjera.Kjo nuk është vetëm një padrejtësi! Kjo është realizim i një plani sistematik për përjashtimin e shqiptarëve dhe të komuniteteve të tjera jo-shumicë nga institucionet e sigurisë, nga Armata e vendit, nga administrata shtetërore dhe administrata publike.
Ky veprim është shkelje e rëndë e Kushtetutës dhe shkelje e vlerës kushtetuese të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, siç e garanton rendi juridik i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kjo është alarmante. Numrat janë të frikshëm. Ky degradim dhe rrënim i vlerave kushtetuese ka marrë përmasa alarmante.
Pas degradimit të gjeneralit të vetëm shqiptar që plotësonte të gjitha kushtet për të udhëhequr Shtabin e Përgjithshëm të Armatës, përjashtimi sistematik vazhdon në formën zyrtare dhe institucionale.
Ky është sulm i drejtpërdrejtë ndaj frymës së Marrëveshjes së Ohrit, ndaj rendit kushtetues dhe karakterit multietnik të shtetit.
Ku është përfaqësimi i drejtë dhe adekuat?
Ku është barazia e garantuar me ligj dhe Kushtetutë?
Pse shqiptarët sistematikisht mbahen jashtë institucioneve kyçe të shtetit?
BDI nuk do të heshtë përballë padrejtësive.
BDI nuk do të qëndrojë duarkryq kur shqiptarët përjashtohen dhe nënçmohen.
Ne kërkojmë:
• Hetim të menjëhershëm mbi këtë konkurs skandaloz.
• Marrje përgjegjësie nga funksionarët përkatës në Ministrinë e Mbrojtjes.
• Zbatim pa kompromis të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në çdo institucion shtetëror, përfshirë institucionet e sigurisë.
Shteti nuk mund të ndërtohet mbi përjashtimin.
Shteti nuk mund të funksionojë pa të gjitha komunitetet. Ky është realiteti që duhet pranuar, përndryshe, pasojat do t’i ndjejë vetë kohezioni i shtetit.
