-0.9 C
Tetovo
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
BallinaLajmeBDI akuzon për mobing ndaj të punësuarve, Komuna e Tetovës: Përdoren për...

BDI akuzon për mobing ndaj të punësuarve, Komuna e Tetovës: Përdoren për të krijuar konfuzion dhe përhapur paqartësi

BDI dega Tetovë ka akuzuar pushtetin lokal të qytetit për presione ndaj të punësuarve në komunë, por edhe administratorëve në pushtetin qendror. Sipas Blerim Osmanit, pushteti aktual, në nivel qendror e lokal, po bën mobing të paparë ndaj të gjithë punësuarve që kanë bindje ndryshe nga udhëheqësit aktual të Komunës së Tetovës dhe kësaj qeverie, të cilën e quajti, pa legjitimitet.

 “I tillë është rasti me punëtorët e NPK-Tetova, me shkollat fillore dhe të mesme komunale të Tetovës, ku brenda 3 vitesh janë ndërruar dhjetëra drejtorë, si dhe degradimet në pozita që u bëhen nëpunësve shtetërorë në përditshmëri. Kjo dukuri nuk është e theksuar vetëm në Tetovë, por që nga themelimi i kësaj Qeverie ka marr përmasa nacionale, ku janë shkarkuar qindra shqiptarë dhe në vend të tyre janë emëruar kuadro maqedonas”, tha Blerim Osmani nga BDI-dega Tetovë.

Reaguan nga Komuna e Tetovës. Akuzat për mobing i quajnë të pabaza dhe se po përdoren për të krijuar konfuzion dhe për të përhapur paqartësi. Sigurojnë se asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë hapësirë për trajtim të padrejtë ndaj të punësuarve, pavarësisht bindjeve të tyre politike apo pozicionit të tyre në institucione.

 “Parimi ynë është dhe do të mbetet respektimi i barazisë, meritokracisë dhe dinjitetit të secilit individ që kontribuon në këtë komunë. Ndryshimet në struktura janë pjesë e procesit natyral për të përmirësuar efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve publike, dhe në asnjë rast nuk janë të lidhura me forma të presionit apo diskriminimit ndaj të punësuarve. Transparenca dhe respektimi i të drejtave të të gjithë punonjësve janë vlerat thelbësore që udhëheqin punën tonë të përditshme”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Me Tetovën drejton Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa, pjesë e koalicionit VLEN, koalicion ky që pothuajse 4 muaj është edhe pjesë e Qeverisë. BDI, prijëse e koalicionit Fronti Europian, është opozitë si në Komunën e Tetovës po ashtu edhe në nivel qendror.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments