-1.7 C
Tetovo
E premte, 17 Janar, 2025
BallinaLajmeBotaBauer: NATO-ja është seriozisht e shqetësuar për rolin e Kinës në sigurinë...

Bauer: NATO-ja është seriozisht e shqetësuar për rolin e Kinës në sigurinë ndërkombëtare

Baza industriale ushtarake kineze po rritet dhe po mbështet në mënyrë aktive kompleksin ushtarako-industrial rus dhe Kina po zgjeron me shpejtësi arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, pa asnjë formë transparence, tha sot kryesuesi i deritanishëm i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Rob Bauer.

“NATO është seriozisht e shqetësuar për rolin që Kina luan në sigurinë ndërkombëtare. NATO i tha në mënyrë eksplicite Kinës: nuk mund të ulesh në dy karrige. Kina, nga njëra anë, nuk mund të thotë se dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira me Perëndimin dhe të pretendojë se mbështet Kartën e KB-së, ndërsa në të njëjtën kohë të vazhdojë të nxisë luftë në Evropë”, theksoi Bauer, i cili prej sot detyrën ia dorëzon admiralit italian Xhuzepe Kavo Dragone.

Sipas Bauer, “harmonizimi i rritur” midis Rusisë, Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit synon të minojë normat dhe vlerat demokratike në Perëndim, gjë që kërkon një përgjigje të fortë të bashkuar.

“Prandaj investojmë më shumë kohë dhe energji në bashkëpunimin ushtarak, ndërveprueshmërinë dhe shkëmbimin e njohurive dhe ekspertizës me partnerët tanë”, theksoi admirali holandez.

Bauer tha se NATO me partnerët e saj në mënyrë eksplicite shqyrton mundësitë për ballafaqim të përbashkët me “jostabilitetin gjithnjë e më të pranishëm përreth botës”, dhe për përforcim të ndërsjellë.

“Mbrojtja kolektive është detyrë e kolektivit. Kjo kërkon që aleatët të qëndrojnë njëri pranë tjetrit. Nevojitet bashkëpunim aktiv me partnerët dhe kjo kërkon pjesëmarrje aktive të shoqërisë në tërësi, duke përfshirë edhe sektorin privat”, deklaroi Bauer, duke shprehur bindje se NATO ka kapacitet t’i bëjë të domosdoshme ndryshimet dhe ta rrisë qëndrueshmërinë e saj.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments