MPB Maqedoni njofton se dje (10.04.2025), zyrtarët policorë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit të Punëve të Brendshme Gostivar, në bashkëpunim me Komisionin për vlerësimin e plotësimit të kushteve në aspektin e hapësirës, pajisjeve dhe personelit për marrjen e lejes për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, kanë kryer kontroll të jashtëzakonshëm në një person juridik që zotëron leje për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore, në pronësi të A.K. (52) nga Republika e Shqipërisë dhe A.R nga Bosnja dhe Hercegovina.
“Kontrolli dhe këqyrja e objektit u krye në prani të njërit prej pronarëve dhe drejtuesve A.K dhe punonjësit D.I. (39) nga Republika e Sllovenisë, me vendbanim të përhershëm në fshatin Sedllarcë e Poshtme, rajoni i Tetovës, dhe janë konstatuar një sërë parregullsish lidhur me procesin e kultivimit të bimës së kanabisit, që është në kundërshtim me Ligjin për kontrollin e drogave narkotike, për këtë arsye ekziston dyshimi se prodhimi i kanabisit ka qenë i destinuar për treg ilegal”.
“Gjithashtu është konstatuar se kanabisi po thahej në dy salla dhe në njërën nga sallat u gjetën nëntë fuçi plastike të mbushura me produktin e përfunduar – lulen e tharë të kanabisit, për të cilat personi juridik nuk posedon asnjë dokumentacion. Pas udhëzimeve të Prokurorit Publik të Prokurorisë Publike të Gostivarit, kanabisi i gjetur (bimët dhe lulja e tharë) është konfiskuar dhe i është dorëzuar Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar, ndërsa pronari A.K dhe punonjësi XH.I janë privuar nga liria”.
“Pas kompletimit të gjithë dokumentacionit, sot DPB Gostivari do të bëjë kallëzim penal për kryerjen e veprës penale nga neni 95-c të Ligjit për kontrollin e drogave narkotike dhe substancave psikotrope dhe të njëjtit do të paraqiten para gjykatësit për procedurë paraprake në Gjykatën Themelore e Gostivarit”, thonë nga MPB.