Kryetari i sapozgjedhur i Këshillit të Prokurorëve Publikë Bashkim Selimi porositi se mbrojtja e të gjithë prokurorëve publikë në Republikën e Maqedonisë dhe transparenca do të jenë prioritetet në mandatin e tij.
Selimi u zgjodh kryetar i ri i Këshillit të Prokurorëve Publikë, pasi mori mbështetje unanime nga kolegët e tij me propozimin e Zorica Pavloviqit. Në deklaratën e tij të parë pas zgjedhjes, Selimi foli për prioritetet e mandatit të tij, duke theksuar mbrojtjen e prokurorëve publikë dhe vendimmarrjen kolektive.
“I falënderoj kolegët e mi që më mbështetën unanimisht, përparësia për mua është se kam qenë edhe zëvendës, në vazhdimësi, dhe vendimet merren gjithmonë në mënyrë kolektive. Do të angazhohem që të gjithë prokurorët publikë në Republikën e Maqedonisë të jenë të mbrojtur në çdo kuptim”, deklaroi kryetari i ri i Këshillit.
Ai, gjithashtu paralajmëroi se do të jetë gjithmonë në dispozicion të mediave.
Lidhur me Raportin e Komisionit Evropian për punën e prokurorëve publikë dhe ndërhyrjen e mundshme të autoriteteve të tjera në gjyqësor, Selimi theksoi se ” në pjesën e PP nuk ka vëretje për Këshillin” dhe se ajo pjesë do të shqyrtohet në një seancë pas së cilës do të dalin me një qëndrim zyrtar. Ndërsa, lidhur me ndërhyrjen e mundshme të autoriteteve të tjera në gjyqësor, ai deklaroi “Ju siguroj se në KPPRM vendimet merren me shumicë dhe asnjë nga kolegët e mi nuk është ankuar ndonjëherë në atë kuptim”.
Propozimi për zgjedhjen e Selimit është parashtriuar nga anëtarja e Këshillit, Zorica Pavlloviq dhe është mbështetur me tetë vota “pro” nga gjithsej 11 anëtarë. Gjatë votimit kishte tre fletëvotime jovalide.
Për zëvendëskryetare të Këshillit, Selimi e propozoi anëtaren Marijana Ilievska, ndërsa propozimi është mbështetur unanimisht.
Përzgjedhja vijon pas ndërprerjes së funksionimit të kryeares paraprake Dushica Dimitrievska, për shkak të përfundimit të mandatit më 1 tetor të këtij viti. Kjo është konstatuar në seancën e 28-të të Këshillit të mbajtur më 30 shtator. Atëherë përzgjedhja e kryetarit të ri u anulua për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve lokale.
Në seancën e sotme, anëtari Ardian Demiri, gjatë përcaktimit të rendit të ditës, kërkoi shtyrjen e vendimit për zgjedhje për shkak të ligjeve reformuese që janë në procedurë parlamentare, kryesisht për shkak të ligjit të ri për prokurorët publikë, i cili pritet të miratohet deri në fund të dhjetorit.
Demiri theksoi se 20 ditë nuk do të luanin rol në kompletimin e Këshillit dhe se miratimi i ligjit të ri do t’u mundësonte anëtarëve nga radhët e Kuvendit të kandidojnë dhe të nominohen dhe zgjidhen si kryetarë të Këshillit në bazë të barabartë me kolegët e tjerë.
Ky propozim u mbështet vetëm nga katër anëtarë, prandaj nuk u miratua.
