Banorët e bllokut 70 në Tetovë, hyrjet 213, 215 dhe 217 alarmojnë se Komuna e Tetovës ka miratuar ndryshime në Planin e Detajuar Urban që lejon ndërtimin e një ndërtese të re në këtë bllok dhe kështu do të mbyllë qasjen e drejtpërdrejtë të veturave në rrugën “Vëllezërit Milladinov”. Komuna arsyetohet se do të ketë rrugë, transmeton Portalb.mk.
Banorët thonë se me ndërtimin e objektit të ri, atyre do t’u pamundësohet dalja në rrugën kryesore.
“Rruga jonë ka qenë kjo që e shihni pas meje. Kështu kemi hyrë normalisht, siç duhet, dhe ka mundur të kalojë çdo automjet, qoftë ambulancë, zjarrfikës, kamion për dru, ose edhe automjet mortor. Tani kjo nuk është më e mundur, për shkak të ndërtimit të këtij objekti pas meje, ku ata duan ta ngjisin ndërtesën për t’u bashkuar me këtë. Pra, duan ta bëjnë si një lloj ‘ngjitur’”, tha Blagoja Mirçevski, përfaqësues i banorëve .

Banorët alarmojnë se ndryshimet në planin detal urbanistik u bënë në mënyrë jotransparente.
“Me planin e vjetër, rruga ishte e parashikuar dhe e kishte emrin, ne e kemi atë plan. Ndërsa plani i ri është një lloj ‘ngjitur’, diçka që është ndryshuar dhe mund të riparohet për t’u kthyer siç ka qenë më parë”, tha Mirçevski.
Nga Komuna e Tetovës thonë se plani urbanistik është miratuar më të gjitha procedurat dhe se të gjitha objektet banesore do kenë rrugë, hapësira të gjelbra dhe parkim.
“Miratimin e ri të PDU për BU 74 është përcaktuar që të gjitha parcelat ndërtimore të kenë qasje të veçantë deri te trafiku rrugorë. Sipërfaqja ndërtimore që përfshihet me PDU-në e BU 74 është midis bulevardit “Vidoe Smilevski Bato”, rrugës “Vëllezërit Milladinov”, rrugës “Bllagoja Toska” dhe rrugës “180”, ku e gjithë kjo pjesë e bllokut ka tre rrugë hyrëse nga rruga “180” dhe brenda bllokut janë planifikuar trafiku rrugor, infrastrukturë, vende parkimi, garazhe nëntokësore me strehimore dhe gjelbërim”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Lidhur me mundësinë e hyrjes nga ana tjetër, qiramarrësit theksojnë se është një zgjidhje e papërshtatshme sepse është një rrugë që do t’u kërkonte atyre të kalonin nëpër disa parcela të tjera në atë bllok urban.
Përveç kësaj, banorët janë të shqetësuar se punimet që pritet të fillojnë mund të rrezikojnë edhe strehimoret që gjenden para tyre.
Në Tetovë periudhën e fundit në Komunën e Tetovës shpërthyen disa ‘krime’ urbanistike, si shitja e ish Monopollit, legalizimi me shumë shkelje i vikend shtëpizës së Faton Murselit në Kodrën e Diellit dhe ndërtimi i ndërtesave me më shumë kate se të planifikuara. Ndërkaq, në disa pjesë të qytetit ka filluar ndërtimi i disa ndërtesave tjera shumë katëshe.
