9 C
Tetovo
E hënë, 30 Shtator, 2024
BallinaEkonomiBanka Popullore në RMV: Borxhi i jashtëm neto deri më 30 qershor...

Banka Popullore në RMV: Borxhi i jashtëm neto deri më 30 qershor arrin 4,48 miliardë euro

Banka Popullore njoftoi se më 30 qershor 2024 neto borxhi i jashtëm arriti në 4,481 milionë euro ose 30,8 për qind nga PBB-ja e parashikuar. Borxhi i jashtëm neto në tremujorin e dytë të vitit 2024 është rritur për 109 milionë euro ose 2,5 për qind. Nga aspekti i strukturës, borxhi neto privat vazhdon të ketë peshë më të madhe në totalin e borxhit neto me 64 për qind.

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2024, pozicioni negativ i investimeve ndërkombëtare neto (PIN) u rrit për 185 milionë euro dhe arriti në 8,622 milionë euro, që përfaqëson 59.2 për qind të PBB-së së parashikuar për vitin 2024. Nga kjo shumë, pjesa më e madhe ose 88 për qind janë detyrimet neto të bazuara në investime direkte, nga të cilat 71 për qind janë të bazuara në kapital.

“Në fund të kuartalit të dytë nga viti 2024, borxhi i jashtëm bruto arrin në 11,875 milionë euro dhe ka shënuar një rritje tremujore prej 76 milionë euro. Kërkesat e jashtme bruto janë ulur për 33 milionë euro dhe arrijnë në 7,394 milionë euro. Rritja tremujore e detyrimeve, me një ulje të njëkohshme të kërkesave, ka sjellë rritjen e borxhit të jashtëm neto për 109 milionë euro, në mënyrë që në fund të qershorit të vitit 2024 të arrijë në 4,481 milionë euro”, thekson Banka.

Krahasuar me fundin e vitit 2023, borxhi i jashtëm bruto është më i lartë për 519 milionë euro, ose për 4.6 për qind. Madje, në gjysmën e parë të vitit 2024, borxhi me efekt të përjashtuar nga aktivitetet specifike për administrimin e rezervave valutore të bankës qendrore është rritur për 400 milionë euro. Rritja e arritur është rezultat i rritjes së borxhit të jashtëm privat (për 366 milionë euro) dhe rritjes së borxhit publik (për 34 milionë euro). Në rastin e borxhit privat, rritje është vërejtur tek subjektet e lidhura kapitale (për 315 milionë euro) dhe sektori privat jobankar (për 180 milionë euro), ndërsa borxhi i bankave private ka shënuar rënie (për 129 milionë euro). Sa i përket borxhit publik, rritja është kryesisht rezultat i rritjes së detyrimeve të bankave publike dhe ndërmarrjeve publike (për 18 milionë euro) dhe sektorit “shtetëror” (për 13 milionë euro).

Sipas Bankës Popullore, në krahasim me fundin e vitit paraprak kërkesat e jashtme bruto janë më të larta për 404 milionë euro. Pa efektin e aktiviteteve specifike për administrimin e rezervave valutore të bankës qendrore, kërkesat e jashtme bruto u rritën për 162 milionë euro, si rezultat i rritjes së kërkesave private (për 431 milionë euro), ndërsa kërkesat publike u ulën (për 269 milionë euro). Rritja e kërkesave private rezulton nga rritja e kërkesave të subjekteve kapitale (për 336 milionë euro) dhe sektorëve të tjerë (për 164 milionë euro), ndërsa kërkesat e institucioneve depozituese janë ulur (për 69 milionë euro).

“Kërkesat e jashtme bruto, në fund të kuartalit të dytë të vitit 2024, arrijnë 7,394 milionë euro (ose 50.8 për qind e PBB-së së parashikuar) dhe shënuan një rënie tremujore prej 33 milionë euro (ose për 0.4 për qind). Nëse përjashtohet efekti i aktiviteteve specifike të bankës qendrore lidhur me menaxhimin e rezervave valutore, kërkesat e jashtme bruto janë rritur për 81 milionë euro dhe arrijnë në 7,151 milionë euro. Ky ndryshim tremujor është rezultat i rritjes së kërkesave private për 59 milionë euro dhe rritjes së kërkesave publike për 22 milionë euro. Rritja tremujore e kërkesave të jashtme të sektorit privat është rezultat i rritjes së kërkesave të sektorëve të tjerë (për 58 milionë euro), ndërkohë që gjendja e pandryshuar e institucioneve depozituese dhe subjekteve kapitale janë pothuajse të pandryshuara. Rritja e kërkesave publike vjen si pasojë e rritjes së kërkesave të bankës qendrore”, theksohet në kumtesë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments