22.7 C
Tetovo
E shtunë, 9 Gusht, 2025
BallinaLajmeBajram Rexhepi takohet me mërgatën: Kontributi i tyre, thelbësor për të ardhmen...

Bajram Rexhepi takohet me mërgatën: Kontributi i tyre, thelbësor për të ardhmen e Tetovës dhe të kombit

Kandidati për kryetar të Komunës së Tetovës, Bajram Rexhepi, zhvilloi një takim të veçantë me përfaqësues të mërgatës shqiptare – një segment i pazëvendësueshëm i kombit që prej dekadash ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha proceset kombëtare, ekonomike e politike.Në këtë takim, të cilin Rexhepi e cilësoi si “një ndër më domethënësit në këtë fushatë”, u diskutuan gjerësisht çështje që prekin drejtpërdrejt jetën e mërgimtarëve, por edhe sfidat me të cilat përballet komuniteti shqiptar në përgjithësi.“Mërgata jonë është ajka e kombit, pasqyra më e ndritur e përkushtimit, sakrificës dhe dinjitetit. Ata nuk e kanë harruar vendlindjen, dhe për këtë ne u jemi përjetësisht mirënjohës,” u shpreh Rexhepi në fillim të takimit.Gjatë diskutimeve të hapura, mërgimtarët ngritën shqetësime konkrete që lidhen me jetën e përditshme në vendlindje, veçanërisht në periudhat kur ata kthehen për pushime. Kaosi në komunikacion, mungesa e infrastrukturës, dhe menaxhimi i dobët urban ishin ndër temat më të theksuara. Sipas tyre, mungesa e një vizioni të qartë urban e bën Tetovën një qytet të vështirë për të jetuar, aq më tepër në muajt e verës kur qyteti përjeton një dyndje të madhe nga diaspora.Një tjetër aspekt i diskutuar ishte edhe përfaqësimi politik i shqiptarëve në nivel qendror. Mërgimtarët shprehën shqetësimin për “degradimin e vazhdueshëm të pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, duke e cilësuar qeverinë aktuale si “një entitet pa legjitimitet etnik”, që po e zbeh gjithnjë e më shumë rolin e shqiptarëve në institucionet shtetërore.Në këtë kontekst, një nga mërgimtarët pjesëmarrës ndau një përjetim të fortë emocional që u prit me duartrokitje nga të pranishmit. “Ditën që hyra në kufi për vendlindje, ndjeva se nuk ka më shqiptarë në qeveri. Dhe thash me vete se nuk do të vij më këtu derisa Ali Ahmeti të rikthehet në qeveri,” tha ai, duke i bërë thirrje bashkëatdhetarëve që të mobilizohen për të “flakur këtë të keqe” dhe për të rikthyer dinjitetin kombëtar në vend.Bajram Rexhepi, nga ana e tij, premtoi se kërkesat e mërgatës do të reflektohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në programin e tij zgjedhor. Ai theksoi se çdo politikë publike duhet të ndërtohet mbi dialogun me qytetarët, përfshirë edhe ata që jetojnë jashtë vendit, por që me punën, mundin dhe përkushtimin e tyre, mbeten të lidhur fort me fatin e vendlindjes.“Në programin tim nuk do të ketë vend për premtime boshe. Kërkesat tuaja do të jenë shtylla të programit tim për një Tetovë më të zhvilluar, më të drejtë dhe më të hapur për të gjithë. Mërgata do të jetë partnere e pandashme në qeverisjen time,” përfundoi Rexhepi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments