Avokati Vullnet Paçuku ka qenë i ftuar në emisionin ‘Rishtaz’ në gazetën Koha, ku ka folur për rastin e spitalit modular, duke thënë se gjykata për këtë rast nuk ka sjellë vendime reale për fajtorët real pasi i gjithë procesi nuk është fokusuar në arsyet reale që kanë sjellë zjarrin por në çështje dytësore, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Familjarët që në fillim të këtij procesi kanë qenë tërësisht të pakënaqur, duke pasur parasysh se, edhe unë si avokat, duke e ndjekur këtë rast në çdo seancë gjyqësore kam vërejtur që në fillim, se u ndjejtë një mungesë serioze e hetimit të pavarur të tërësishëm për të vërtetuar shkaqet e kësaj tragjedie” tha në fillim avokati Vullnet Paçuku.
“Hetimi duhet të jetë i tërësishëm dhe i pavarur. Në këtë kontekst, i gjithë procesi gjyqësor u koncentrua nëse ka pasur mjete për shuarjen e zjarrit. Aspak ky proces nuk u fokusua për shkaqet reale të ndodhjes së kësaj tragjedie. Nëse procesi gjyqësor do fokusohej te arsyet e zjarrit, në bankën e të akuzuarve do të ishin fajtorët realë. Nuk mund të flasim për pasojat, pa mos i vërtetuar arsyet e zjarrit” tha Paçuku, i pyetur për temën e dënimit të drejtorëve të Spitalit Klinik të Tetovës.
Paçuku mes tjerash ka thënë se ekspertët e ndërtimit kanë dëshmuar se objekti dhe sistemi elektrik i objektit kanë qenë të ndërtuar në formë të gabuar dhe nuk ka qenë dilemë a do të ndodhte tragjedia, por kur do të ndodhte. “Objekti ka qenë i ndërtuar jashtë çdo standardi” shtoi ai. /Telegrafi/
