Audia luksoze A6 me të cilën Ramiz Merko udhëtonte për disa vite gjatë kohës kur ishte kryetar i komunës së Strugës, do të ketë pronar të ri. Megjithëse nga buxheti komunal për të ishin ndarë 67.000 euro, pronari i ri do ta marrë pothuajse falas. Nga Komuna e Strugës për Alsat thonë se vlera e saj aktuale e vlerësuar është 618.602 denarë, ose vetëm 10.060 euro. Shitja e automjetit do të realizohet përmes ankandit publik elektronik.
“Çmimi fillestar i shitjes do të jetë i barabartë me vlerën e vlerësuar, të përcaktuar nga vlerësues i autorizuar, në përputhje me rregullativën ligjore. Çmimi përfundimtar i shitjes do të përcaktohet përmes vetë procedurës së ankandit publik elektronik,” thanë nga Komuna e Strugës.
Për blerjen e veturës u zhvillua edhe proces gjyqësor, në të cilin i akuzuar ishte ish kryetari Merko. Megjithatë, në qershor të vitit 2025, Merko, u lirua nga akuzat për këtë lëndë, pasi Gjykata vlerësoi se nuk kishte prova të mjaftueshme për vepër penale.
Vendimi i gjykatës përcaktoi se gjatë prokurimit publik nuk kishte prova që tregonin se Merko kishte ndërmend të abuzonte me pozicionin e tij. Avokati i tij mbrojtës, Igor Petkovski, theksoi se vendimi konfirmon se nuk është shkelur asnjë rregull ligjor në blerjen e automjeteve zyrtare, vlera totale e të cilave është 114,000 euro.
