Koha për të vepruar është tani! Shqiptarët po përballen me diskriminim sistematik, përjashtim të qëllimshëm dhe sulme të hapura ndaj dinjitetit dhe të drejtave të tyre themelore. Në një realitet të tillë, opozita duhet të jetë zëri i fuqishëm i popullit, jo një trup i përçarë nga luftërat dhe grupimet e brendshme.
Lërini mënjanë përplasjet dhe interesat personale brenda partive. Nuk është koha për luftë mes grupeve brenda opozitës apo për avancim të agjendave individuale – është koha për bashkim rreth një vizioni të përbashkët që mbron interesat kombëtare dhe siguron drejtësi për të gjithë qytetarët.
Ata që i zgjodhi Mickovski, përveç dëmeve të mëdha në interes kombëtar, po shkaktojnë edhe dëme të rënda individuale. Rasti i shkollës së mesme “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë është dëshmia më e qartë e kësaj. Nuk ka asnjë justifikim për mosveprim. Opozita ka detyrë urgjente të marrë në mbrojtje personat e dëmtuar dhe të luftojë padrejtësitë që ndodhin në institucionet arsimore dhe përtej.
Hapuni për ide dhe figura të reja. Shqiptarët kërkojnë një opozitë që reflekton interesat e tyre reale dhe që është e gatshme të përfshijë energji të reja dhe qasje konstruktive. Kjo nuk është vetëm një sfidë politike, por një thirrje për një opozitë që bashkon dhe drejton.
Veproni menjëherë dhe me vendosmëri! Organizoni protesta të fuqishme, ngrini zërin në çdo forum dhe përdorni të gjitha mekanizmat demokratikë për të ndalur politikat diskriminuese që synojnë përjashtimin e shqiptarëve. Çdo moment pasiviteti është një fitore për ata që punojnë kundër nesh.
Shqiptarët kanë luftuar me sakrifica të mëdha për të drejtat e tyre dhe nuk do të pranojnë të margjinalizohen. Opozita ka një përgjegjësi historike: të lërë mënjanë konfliktet e brendshme dhe të veprojë si një trup i bashkuar dhe vendimtar për të siguruar një të ardhme më të mirë për shqiptarët. Koha për justifikime ka mbaruar – tani është momenti për veprim të guximshëm dhe të bashkuar!