Partitë në pushtet për momentin me sa duket nuk e kanë ndërmend ta mbështesin kërkesën e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, që të bëhet veting për të gjithë zyrtarët dhe ish zyrtarët në 30 vitet e fundit. Si në çdo pyetje ndaj krerëve të VLEN, përgjigja është se ku ishte Ahmeti 20 vite që nuk e bëri. Kështu u përgjigj edhe zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti, i pyetur nëse do të mbështesin iniciativën për veting.
Për kryeministrin Hristijan Mickoski thirrja e Ahmetit më tepër ngjante humor dhe satirë. Për këtë, Ahmeti i bëri thirrje Mickoskit që ta provojnë dhe të shohin nëse e ka përnjëmend apo jo.
Por a ka dorëzuar me të vërtetë BDI-ja propozim ligj për veting. Nga Kuvendi na njoftuan se deputeti i atëhershëm integrist Artan Grubi, më 31 janar 2020 ka dorëzuar propozim ligj për formimin e një Agjencie për kontrollimin e bartësve dhe kandidatëve për bartës të funksioneve publike. Por, për këtë propozim ligj asnjëherë nuk u debatua në komisionin amë, komisionin për sistem politik dhe marrdhënie mes bashkësive. (insert foto: zakon vo sobranie
Por çfarë përmbante më saktësisht propozim ligji për veting? BDI kishte paraparë që për të gjithë bartësit e funksioneve publike por edhe për kandidatët për funksione, fillimisht të merret çertifikatë nga Agjencia që duhej të formohet për kontrollin e zyrtarëve. Ishte paraparë që të kontrollohen presidenti i shtetit, deputetët, ministrat dhe zv.ministrat, kryetarët e komunave, gjykatës, prokurorë dhe shumë të tjerë. Kjo Agjenci, do të duhej të mbledhë dhe analizojë të dhëna nga Ministria e Brendshme, Drejtoria për të Ardhura Publike, Agjencia për Punësim, Agjencia për Kadastër, Qendra depozitare për letra me vlerë, të dhëna nga regjistri i transakcioneve, Regjistri Qendror, Drejtoria e Doganave, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, Enti Shtetëror për Revizion, Banka Popullore, Ministria e Ekonomisë, Gjykata Penale, Prokuroria dhe institucione tjera për të cilat Agjencia mendon se duhet të marrë të dhëna. Parashihej që buxhetin për Agjencinë ta sigurojë Qeveria. Agjencia ishte paraparë të ketë drejtor dhe zv.drejtor, të cilët duhej t’i zgjedhë komisioni për zgjedhje dhe emërime në Kuvend, pasi paraprakisht kandidatët do të konkuronin në konkurs. Propozim ligji atëkohë ishte dorëzuar me nevojë që të sillet me procedurë të shkurtuar.