Nga mesnata ka filluar heshtja zgjedhore, e cila do të zgjasë deri në orën 19:00 të datës 2 nëntor 2025, njofton Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA).
Sipas Agjencisë, gjatë periudhës së heshtjes zgjedhore, mediat mund të vazhdojnë të raportojnë për zgjedhjet dhe për rrjedhën e votimit, por nuk lejohet të transmetojnë asnjë formë të përfaqësimit mediatik zgjedhor.
“Gjatë raportimit në ditët e heshtjes zgjedhore, do të konsiderohet se mediat e kanë shkelur këtë periudhë nëse transmetojnë ose publikojnë çfarëdo lloj informacioni, fotografie, materiali audio ose audiovizuel që lidhet me apo në të cilin marrin pjesë pjesëmarrësit në zgjedhje; çdo formë raportimi mediatik që në mënyrë të hapur ose të fshehtë është në funksion të fushatës së dikujt dhe që mund të ndikojë në vendimin e votuesve; si dhe të dhëna që zbulojnë identitetin e subjekteve politike dhe/ose individëve të përfshirë në incidente ose parregullsi gjatë ditës së votimit; si dhe deklarata nga kandidatët në procesin zgjedhor, përfaqësuesit e partive politike apo bartës të funksioneve në organet shtetërore”, thuhet në njoftimin e ASHMAA-së.
Agjencia pret që të gjitha mediat ta përshtatin programin e tyre me rregullat e heshtjes zgjedhore.
