27.4 C
Tetovo
E shtunë, 12 Korrik, 2025
BallinaLajmeASH: Vendi po shkon në drejtim të gabuar – Qeveria të ndalë...

ASH: Vendi po shkon në drejtim të gabuar – Qeveria të ndalë lidhjet me rrjetin ruso-serb dhe të reflektojë ndaj BE-së dhe SHBA-ve

Sipas rezultateve të fundit nga një sondazh i realizuar nga MKD.mk në bashkëpunim me agjencinë e specializuar për hulumtime të opinionit publik Market Vision, qytetarët e Maqedonisë së Veriut mbeten të ndarë sa i përket drejtimit të vendit.

Në pyetjen “Në cilin drejtim mendoni se po shkojnë punët në Maqedoninë e Veriut?”, 40.5% e të anketuarve mendojnë se vendi po ecën në drejtim të gabuar, krahasuar me vetëm 34.3% që besojnë të kundërtën.

Ky perceptim negativ, sipas Aleancës për Shqiptarët (ASH), konfirmon shqetësimet e kahmotshme të ngritura nga kjo parti, se Maqedonia e Veriut po largohet nga rruga euroatlantike dhe po afrohet rrezikshëm me ndikime të huaja, sidomos me rrjetin ruso-serb.

“Këto shqetësime nuk janë vetëm të brendshme. Ato u artikuluan qartë edhe në Raportin e fundit të Parlamentit Evropian, i cili thekson ndikimin gjithnjë e më të madh të fushatave të dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja në vendet e Ballkanit Perëndimor – përfshirë Maqedoninë e Veriut – duke vënë në dukje rolin destabilizues të qeverive të Hungarisë dhe Serbisë në avancimin e interesave strategjike të Rusisë dhe Kinës në rajon.

Përballë këtij realiteti alarmant, Aleanca për Shqiptarët u bën thirrje drejtuesve shtetërorë që të reflektojnë me përgjegjësi të plotë dhe të ndalin çdo qasje destruktive ndaj Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, kërkojmë që të ndërpriten menjëherë të gjitha lidhjet dhe komunikimet me “botën serbe” dhe aksin ruso-kinez, të cilat rrezikojnë integritetin demokratik dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.

Kjo thirrje drejtohet sidomos ndaj përfaqësuesve shqiptarë në qeveri, përkatësisht liderëve të koalicionit VLEN, të cilët janë të obliguar të reflektojnë mbi këtë gjendje të rëndë dhe të tërhiqen nga një qeveri pa legjitimitet etnik, pa përkrahje shumicë dhe me orientim konfliktuoz ndaj Perëndimit.

Qëndrimi i Aleancës për Shqiptarët është i qartë, nuk synojmë pushtetin por kërkojmë ndalimin e politikave antishqiptare dhe antiperëndimore të kësaj qeverie. Ajo që kërkojmë është presion politik dhe qytetar mbi qeverinë aktuale që të ndalë orientimin e rrezikshëm dhe të kthehet në rrugën e integrimeve evropiane.

Aleanca për Shqiptarët ishte pjesë e qeverisë, por zgjodhi të largohet kur ky kurs u deformua. Të gjithë të tjerët që ndihen të kërcënuar nga zëri opozitar, duhet të kuptojnë se ne nuk ua zëmë vendin – por ua tregojmë drejtimin.

Se jemi në rrugë të drejtë dhe në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve, këtë e dëshmojnë qartë edhe sondazhet më të fundit, të realizuara nga agjenci relevante dhe profesionale, të cilat flasin në mënyrë të padiskutueshme në favor të Aleancës për Shqiptarët dhe në dizfavor të thellë për përfaqësuesit e koalicionit VLEN. Ky është momenti që ata të reflektojnë me seriozitet, të kthehen te populli, dhe të ndjekin zërin e shumicës shqiptare, që sot kërkon qartazi orientim të vendosur pro-perëndimor dhe përfaqësim dinjitoz në skenën politike”, thekson ASH.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments