Një deklaratë publike e këshilltarit të VMRO-DPMNE-së në Këshillin e Komunës së Tetovës, Angel Karapetrov, ka nxitur reagime të forta politike dhe shqetësim në opinion, transmeton Flaka. Gjatë seancës së 51-të të Këshillit, ai konfirmoi ndalimin e punës së komisionit për ndryshimin e emrave të rrugëve, duke e arsyetuar si “veprim në mbrojtje të interesave kombëtare maqedonase”.
“Ne, grupi këshilltar i VMRO-DPMNE-së, veprojmë në interes të qytetarëve dhe asnjëherë nuk do të veprojmë në kundërshtim me interesat kombëtare maqedonase,” deklaroi Karapetrov, duke theksuar se partitë e tjera janë lënë të “pëshpëritin”.
Kjo deklaratë u interpretua nga përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët si një pranim i hapur i kontrollit të VMRO-DPMNE-së mbi Komunën e Tetovës dhe kryetarin Bilall Kasami. Sipas tyre, ky zhvillim nuk përfaqëson vetëm një çështje teknike për emrat e rrugëve, por një përpjekje më të thellë për margjinalizimin e interesave shqiptare në qytetin ku shqiptarët përbëjnë shumicën dërrmuese.
“Tetova nuk qeveriset më nga qytetarët, por nga VMRO-DPMNE. Bilall Kasami është kthyer në një administrator që zbaton urdhra për ‘interesa nacionale maqedonase’. Kjo është një betejë për dinjitetin kolektiv të shqiptarëve,” thuhet në reagimin zyrtar të Aleancës për Shqiptarët.
ASH ka rikujtuar se kjo parti u largua nga Qeveria për shkak të “nëpërkëmbjes së çështjes shqiptare” dhe e ka cilësuar koalicionin aktual VLEN–VMRO në Tetovë dhe Shkup si një aleancë që po shkel të drejtat e shqiptarëve në të dy nivelet e qeverisjes.
Komuna e Tetovës ka një përbërje shumetnike, por shqiptarët përbëjnë mbi 70% të popullsisë së përgjithshme.
Përplasjet për identitetin kulturor dhe përfaqësimin publik në hapësirën urbane mbeten një nga temat më të ndjeshme në qytet, dhe ndërprerja e punës së komisionit për emërtimet e rrugëve pritet të thellojë më tej debatet për përfaqësimin e vërtetë politik dhe administrativ të shumicës shqiptare në Tetovë.