Aleanca për Shqiptarët (ASH) e udhëhequr nga Arben Taravari thekson përmes një komunikate se VLEN, për të mbuluar dështimet e saj, po paraqet si “punësime të rregullta” punësimet parazgjedhore manipuluese me kontrata afatshkurtra. Ndërkohë, partneri i saj qeverisës, VMRO-DPMNE, po e mbush administratën me militantë partiakë përmes vendimeve për punë të përhershme.
“VLEN ka kryer aty-këtu ndonjë punësim me paga të majme, por vetëm për familjarët e klanit udhëheqës – jo për aktivistin e ndershëm dhe qytetarin e sinqertë. Ata presin në listat e famshme prioritare të punësimeve.
Rastet e nepotizmit dhe klientaliste flasin vetë, djali i deputetes Merita Kollçi – Koxhaxhiku është punësuar në M-NAV, sikurse nipi i kryetarit të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi i cili është punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihajlo Apostolski” në Shkup.
Ky është modeli i udhëheqjes së VLEN-it – që merr poste të rëndësishme në institucione vetëm për familjarët e tyre, si shpërblim nga VMRO-DPMNE për lojalitetin politik.
VLEN premtoi 2.500 punësime për shqiptarët. Sot, reklamon vetëm 33 punësime me kontrata afatshkurtra, ndërsa VMRO-DPMNE, vetëm brenda një jave, punësoi 177 militantë partiakë – përfshirë edhe 14 punësimet e fundit në M-NAV.
Aleanca për Shqiptarët e dënon këtë praktikë të turpshme të punësimeve partiake dhe nepotike dhe kërkon që vendet e punës në institucionet shtetërore t’u takojnë qytetarëve mbi bazën e meritës, e jo si shpërblim për shërbime politike dhe puthadorë të Hristijan Mickoskit”, reagon Aleanca për Shqiptarët.