Aleanca për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës, ka akuzuar kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka mashtruar opinionin publik dhe ka manipuluar procesin e shitjes së parcelës së ish-Monopolit, duke i shkaktuar komunës një dëm financiar prej 2.1 milionë eurosh.“Në vend që fillimisht ta ndryshonte Planin Detal Urbanistik (PDU) nga zona G2 (industri e lehtë) në A2 (zonë banimi) dhe më pas ta shiste me vlerën reale të tregut, Kasami e shiti pronën prej 7.000 m² për vetëm 70 denarë për metër katror, ose 7.000 euro në total! Po ta shiste pas ndryshimit të planit urbanistik, komuna do të kishte inkasuar të paktën 300 euro për metër katror, pra 2.1 milionë euro”, thonë nga ASH.
Ata shtojnë se Kasami dhe autoritetet komunale ishin në dijeni për iniciativën për ndryshimin e PDU-së dhe ndërtimin e banesave kolektive në këtë tokë, “por qëllimisht e shiten më parë për një çmim qesharak, duke krijuar avantazh për blerësin dhe dëm për komunën”.
“Kasami nuk mund të fshihet gjithmonë pas “të kaluarës” dhe ish-qeverisjeve, sepse ai vetë premtoi se do të sillte ndryshim në Tetovë. Në realitet, jo vetëm që ka vazhduar praktikat e vjetra, por ka vepruar edhe më keq se cilido kryetar para tij. Kush përfitoi nga kjo aferë? Kush qëndron pas kësaj shitjeje të dyshimtë? Pse Kasami e dëmtoi buxhetin e komunës ndërsa Tetova vazhdon të mbetet peng e borxheve? Ky është një skandal i pastër korruptiv dhe Kasami duhet të japë përgjegjësi për këtë tradhti ndaj qytetarëve të Tetovës!”, përfundon akuza e ASh-së.
“Është dashur fillimisht t’i ndryshohet destinimi, pastaj të shitet..”
Çmimi për blerjen e hapësirave që janë zonë industriale (G2) është shumë më i lirë se ai për blerjen e hapësirave që janë për banim (A2).
Komuna e Tetovës vendosi ta shesë hapësirën prej 6,871m2 gjatë kohës kur ishte me destinim industrial.
Gjatë gjithë kësaj kohe, Komuna e Tetovës ka qenë në dijeni se ka investitorë që planifikojnë të ndërtojnë banesa në këtë zonë dhe se për shpejt kohë do të vinte në rend të ditës ndryshimi i destinimit nga zonë industriale në zonë për banim.
“Absolutisht nuk është dashur ta bëje këtë, ata e kanë ditë se dita e ditës ata do ta votonin dhe do e ndryshonin nga zonë industriale në zonë për banim, ta bënin fillimisht këtë, pastaj ta shisnin, më shumë para për komunën e cila është e zhytur në borxhe”, i tha një urbanist Portalb-it.
Ai thotë se kjo i shton dyshimet që Komuna e Tetovës më shumë ka menduar për interesin e investitorit se sa të komunës.