25.6 C
Tetovo
E shtunë, 13 Shtator, 2025
BallinaLajmeASH: Nxënësit pa libra të rinj, po marrin kopje të vjetra dhe...

ASH: Nxënësit pa libra të rinj, po marrin kopje të vjetra dhe të dëmtuara

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar për gjendjen e teksteve shkollore nëpër shkollat fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut në vitin shkollor 2025/2026.

Siç thonë nga ASH, nxënësit janë lënë pa libra, në shumë shkolla u janë shpërndarë tekste të dëmtuara, pa kopertina dhe me faqe të grisura, ndërsa një pjesë e madhe e librave mungojnë krejtësisht. Vetëm në Tetovë raportohen mbi 18 mijë libra që mungojnë.

“Gjenerata e klasës së tetë është më e goditura, duke mësuar me libra mbi dhjetëvjeçarë, dyfish mbi afatin ligjor të përcaktuar për përdorim. Për Historinë dhe Matematikën mungojnë tekstet e reja, dhe në shumë raste nxënësit janë detyruar të përdorin kopje të pjesshme ose versione elektronike të shpërndara në grupe Viber. Në të njëjtën kohë, tekstet e reja nuk kanë shpëtuar nga skandalet me gabime të rënda. Në librin e Historisë për klasën e gjashtë janë hasur pohime absurde si se Mali Everest ka 29 mijë metra lartësi apo se Shqipëria gjendet në lindje të Maqedonisë së Veriut. Ky libër u tërhoq menjëherë, por nxënësit mbetën sërish pa material mësimor.

Mungesa është e theksuar edhe në shumë lëndë të tjera. Nuk ka tekste për gjuhët e huaja, për kimi dhe fizikë, ndërsa situata në shkollat e mesme është edhe më dramatike. Në klasat e para të shkollave profesionale mungojnë tekstet për pothuajse të gjitha lëndët profesionale, përfshirë procedurat administrative dhe rregullimin ligjor e shtetëror. Kaos i plotë është krijuar edhe me ditarin elektronik, i cili u vendos me nxitim dhe vështirëson menaxhimin e procesit arsimor, duke shtuar pengesa për mësimdhënësit dhe prindërit. Ndërkohë që qeveria deklaron se ka shpenzuar 11 milionë euro për tekste të reja dhe për rinovimin e atyre ekzistuese, realiteti në terren është krejt ndryshe: mungesa, tekste të grisura, gabime të pafalshme dhe nxënës të braktisur në mes të vitit shkollor. Kjo është dëshmi e një dështimi të plotë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila ka detyrim ligjor të sigurojë tekste të reja çdo pesë vite. Zëvendësministri Lulzim Aliu, në vend që të ofrojë zgjidhje, ka dalë totalisht jashtë rrjedhave dhe nuk ka marrë asnjë hap për të përmirësuar situatën. Ky kaos është pasqyrë e paaftësisë së qeverisë VLEN, e cila, si në çdo segment tjetër, po dështon të përmbushë detyrat më elementare ndaj qytetarëve.

Aleanca për Shqiptarët kërkon urgjentisht zëvendësim të librave të dëmtuar dhe sigurim të teksteve të munguar për çdo nxënës, rishikim profesional dhe të pavarur të përmbajtjes së librave për të shmangur gabimet skandaloze që dëmtojnë procesin arsimor dhe përgjegjësi politike e institucionale për këtë kaos që ka vënë në krizë të gjithë sistemin arsimor në fillim të vitit shkollor. Aleanca për Shqiptarët qëndron pranë nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve, të cilët po përballen me këtë situatë të papranueshme, dhe do të vazhdojë të ngrejë zërin deri në zgjidhjen e plotë të kësaj krize”, thuhet në reagimin e ASH-së.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments