Aleanca për Shqiptarët (ASH), e udhëhequr nga Arben Taravari, ka reaguar ashpër pas incidenteve në ndeshjen mes FK Vardar dhe KF Bashkimi Kumanovë, duke e cilësuar ngjarjen si “turp dhe dëshmi të rrëshqitjes së rrezikshme të futbollit drejt dhunës dhe urrejtjes ndëretnike”.
Në reagimin e saj, ASH thekson se përleshjet në fund të takimit dhe atmosfera e tensionuar në tribuna tregojnë dështim të organizimit, sigurimit dhe menaxhimit institucional. “Stadiumi nuk është vend për përleshje, provokime dhe thirrje që poshtërojnë qytetarë mbi baza etnike. Kjo nuk është tifozeri, por rrënim i rendit publik dhe nxitje e urrejtjes,” thuhet në reagim.
ASH kërkon: hetim të plotë për incidentet në fushë dhe në tribuna; identifikim dhe ndëshkim të organizatorëve, provokatorëve dhe çdo personi që ka nxitur dhunë; masa të rrepta nga organet sportive dhe institucionet e sigurisë, si dhe përgjegjësi konkrete për dështimin e kontrollit.
Partia e Taravarit ka drejtuar kritika edhe ndaj koalicionit VLEN, duke theksuar se incidentet e mëparshme në Prilep dhe Kumanovë kanë mbetur pa epilog dhe se, sipas tyre, heshtja institucionale po e normalizon urrejtjen.
“Aleanca për Shqiptarët nuk do të lejojë që urrejtja të normalizohet dhe as që heshtja të shitet si mençuri. Dinjiteti i shqiptarëve nuk negociohet,” përfundon reagimi.
