Aleanca për Shqiptarët një ditë pas dështimit për të krijuar shumicën e re parlamentare, ka reaguar përmes një deklarate. Aleanca akuzon pushtetin duke e quajtur atë vetë mafia, ku me anë të shantazheve, kërcënimeve dhe kindapimeve të deputetëve kërkon të mbetet në pushtet.- Advertisements –
Kumtesa e plotë e ASH-së:
Çdo shtet ka mafien e vetë, ndërsa mbrëmë u dëshmua se në Maqedoninë e Veriut mafia ka shtet. Një Qeveri me 59 deputetë krekoset dhe sillet me arrogancë ndaj qytetarëve, ndërsa shpëtimin e kërkon me shantazhe, kërcënime, blerje apo kidnapimin e deputetëve. Një regjim hibrid që thirret në emër të vlerave evropiane, ndërsa gjithë mandatin dhe fundin e tij e karakterizojnë veprime dhe skandale në kundërshtim me këto vlera.
Mbrëmë nuk dështoi shumica e re, aq më pak opozita. Mbrëmë u ndez alarmi për të gjithë qytetarët dhe faktorin ndërkombëtarë. Mbrëmë u dëshmuan të gjitha vlerësimet e organizmave ndërkombëtare për Maqedoninë e Veriut dhe u konfirmuan të gjitha paralajmërimet tona. Kur një të zgjedhuri të popullit I pamundësohet shkuarja në punë, atëherë çka mund të ndodhë me qytetarin e rëndomtë.
Mbrëmë Aleanca për Shqiptarët nuk dështoi, por vetëm u konfirmua në anën e së drejtës, në anën e popullit që kërkon ndryshim, ndërsa vetëm dolën fytyrat e vërteta të atyre që luftojnë ndryshimin dhe mbrojnë regjimin me çdo kusht.
Lufta vazhdon, edhe më fuqishëm, edhe më pastër, edhe më të vendosur, edhe atë menjëherë.
Halil Snopçe, deputet