Ministri i ri i Shëndetësisë, Azir Aliu, e nisi mandatin e tij me një veprim simbolik, por domethënës: suspendimin e faqes zyrtare të Aleancës për Shqiptarët. Ky akt ishte një sinjal i qartë i shkëputjes së tij nga partia që e solli në skenën politike dhe i orientimit të tij të ri politik, nën ndikimin e VMRO-DPMNE-së. Se kjo është e vërtetë, e dëshmon fakti që vendimi është nënshkruar nga zëvendësministri Jovica Andovski, ndërsa ministri Aliu ka dhënë vetëm miratimin. Kështu akuzon ASH-Taravari, sipas të cilës, vendimi i radhës i ministrit Aliu është ndërrimi i përbërjes së Komisionit Kombëtar për Diabetin.
“Në përbërjen e re bie në sy një zhvendosje e theksuar etnike: kryetari i mëparshëm i komisionit, Dr. Taner Hasan – shqiptar, është zëvendësuar nga Dr. Ivica Smilkovski – maqedonas. Ndërsa më parë komisioni kishte një përfaqësim më të balancuar etnik, tani në të mbetet vetëm një shqiptar, ndërsa është shtuar edhe një anëtar tjetër maqedonas. Ky zhvillim ngre shqetësime serioze për barazinë dhe përfaqësimin proporcional në institucionet publike, veçanërisht në strukturat që ndikojnë drejtpërdrejt në politikat shëndetësore dhe mirëqenien e qytetarëve”, akuzon ASH-Taravari.
Vendimi i Azir Aliut për të reduktuar përfaqësimin shqiptar në këtë trupë profesionale nuk është një rastësi, thuhet më tej në reagim, por pjesë e vazhdimësisë së agjendës së VMRO-DPMNE-së, të cilën ministri po e zbaton me përpikëri, duke ndjekur shembullin e kolegëve të tij nga VLEN-i, me lojalitet të plotë dhe qëndrim politik të nënshtruar ndaj partnerëve maqedonas të koalicionit.
“Ajo që ndërtoi Arben Taravari si ministër – një përfaqësim më të drejtë dhe profesional të shqiptarëve në sistemin shëndetësor, po rrënohet që në ditët e para të mandatit të Azir Aliut, i cili erdhi në detyrë me miratimin e Hristijan Mickoskit. Ky vendim nuk është thjesht profesional apo administrativ – ai është politik dhe përfaqëson një akt të nënshtrimit politik të përfaqësuesve shqiptarë në qeverinë aktuale. Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësimin e thellë për këtë zhvillim dhe rikujton rëndësinë jetike të përfaqësimit të drejtë dhe proporcional të shqiptarëve në të gjitha strukturat shtetërore. Vendime të tilla të njëanshme dëmtojnë kohezionin ndëretnik, besimin e qytetarëve dhe funksionimin e drejtë të shtetit”.


