Nga premtimet për 2.500 punësime për shqiptarët nuk ka mbetur asgjë. Realiteti në qeveri është ndryshe: Hristijan Mickoski po punëson 2.500 maqedonas, ndërsa shqiptarët trajtohen si të padukshëm. FLEN ka dëgjuar gabim, ose më saktë, ka zgjedhur të bëhet sikur nuk sheh e nuk dëgjon.
Reagimi i fundit i kryeministrit Mickoski në konferencën për shtyp në Tetovë, i shoqëruar me zgërdhirjen ironike të Bilall Kasamit në momentin kur u përmendën punësimet për shqiptarët, e konfirmon qartë: shqiptarët janë injoruar dhe FLEN nuk ekziston si faktor në këtë qeveri.
Punësimet e përditshme me parimin diskriminues 20 me 1, 30 me 0, 40 me 1 apo 50 me 0 janë pasqyra e vërtetë e përfaqësimit që kanë sot shqiptarët. Kjo nuk është vetëm dështim – është tradhti ndaj interesit shqiptar.
FLEN mban përgjegjësi për këtë mashtrim të madh. Premtoi punësime për shqiptarët, por u bë patericë e një qeverie që margjinalizon, përjashton dhe poshtëron çdo gjë shqiptare.
Është momenti i fundit për t’u tërhequr nga kjo qeveri antishqiptare dhe antiperëndimore. Në të kundërtën, dënimi i shqiptarëve përmes votës në tetor do të jetë i ashpër dhe fatal.
Aleanca për Shqiptarët ka qenë në qeveri dhe është larguar me dinjitet. Askush nuk ua ka lakmi vendin në një qeveri që i përdor shqiptarët si dekor. Por ju, për fat të keq, nuk e kuptoni as gjendjen në të cilën ndodheni, as dëmin që po u bëni shqiptarëve.
Fjalët e mëdha nuk i mbulojnë dot veprat që në thelb po përjashtojnë shqiptarët. Nënçmoni intelegjencën e shqiptarëve duke u shtirur si përfaqësues të tyre, por në fakt jeni duke u turpëruar para tyre.
Tetori po vjen. E bashkë me të, edhe gjykimi i qytetarëve ndaj kësaj politike pa shtyllë kurrizore dhe pa vizion.