3 C
Tetovo
E diel, 24 Nëntor, 2024
BallinaLajmeAsgjë konkrete as pas zgjedhjeve, nisma për ndryshimin e emrave të shkollave...

Asgjë konkrete as pas zgjedhjeve, nisma për ndryshimin e emrave të shkollave dhe rrugëve “fle” në sirtarët e Komunës së Tetovës

Pavarësisht se u tha se do të vazhdojë pas zgjedhjeve, nisma për ndryshimin e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike në Tetovë vijon të zvarritet për gati dy vite. Komuna e Tetovës hesht ndërsa partnerët maqedonas të koalicionit në Këshillin Komunal të Tetovës nuk shprehen të gatshëm të përkrahin këtë nismë, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse ish kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës në mars 2024 tha se kjo nismë do të vijojë pas zgjedhjeve, aktivitete konkrete nuk ka ende edhe pse zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale u mbajtën në muajin maj 2024.

Për këtë kërkuam nga Komuna e Tetovës se pse po zvarritet ky proces dhe se pse nuk po vijon ashtu siç u tha pas zgjedhjeve, por nga komuna nuk përgjigjen.

Nisma e filluar në bashkëpunim me Shoqatën Akademike të Shqiptarëve për Art dhe Shkencë (ShAShASh) parasheh ndryshimin e emrave të rrugëve dhe të institucioneve të mësipërme me qëllim për të pasqyruar realitetin etnik dhe kulturor të Tetovës dhe fshatrat e komunës.

Siç patën theksuar nga ShAShASh, nuk synohet të eliminohen emrat maqedonas por realiteti etnik të pasqyrohet ashtu siç është dhe se nuk do të jetë në dëm të asnjë partie politike.

Që të miratohen emrat e ri në Këshillin e Komunës, duhet të respektohet parimi i “Badenterit” me të cilin duhet të votojë shumica e pakicës, në këtë rast këshilltarët e VMRODPMNE-së të cilit janë pjesë e shumicës në Këshillin Komunal.

Por, kjo për këshilltarët e VMRO-DPMNE-së nuk është prioritet.

“Prioritet i grupit të këshilltarëve të VMRO DPMNE-së në periudhën e ardhshme është zbatimi i programit që ua kemi besuar qytetarëve dhe zgjidhja e problemeve themelore të infrastrukturës me të cilat ballafaqohen”, tha Angell Karapetrov, këshilltar komunal nga VMRO-DPMNE.

Nga VMRO-DPMNE edhe paraprakisht kanë deklaruar se nuk do përkrahin diçka të tillë.

Nga ana tjetër, këshilltarët komunal të BDI-së theksojnë se këtë çështje ata e kanë realizuar në Këshillin Komunal me Badenter dhe me shumicë që në vitin 2007 me ndryshimin e disa emrave në gjuhën shqipe.

“Nëse udhëheqësia aktuale e Komunës së Tetovës është me të vërtetë e interesuar për ndryshim të emrave të rrugëve apo shkollave duhet të ndërmarrë hapa konkrete duke zhvilluar debat publik dhe gjithëpërfshirës, të sigurojë Badenterin dhe padyshim që ne do kërkojmë që jemi të kyçur nga afet në gjithë këtë proces. Ne këshilltarët e BDI-së do përkrahim çdo iniciativë dhe propozim që do jetë në interesin e tetovarëve”, tha Veton Murati, këshilltar nga BDI.

Kryetari i Komunës së Tetovës, gushtin e vitit 2022 deklaroi se “nismës do i shkojnë deri në fund”, por kjo deri tani nuk është bërë.

Në Tetovë edhe pse disa rrugë janë emëruar në gjuhën shqipe, të njëjtat shfrytëzohen vetëm nga Komuna e Tetovës gjatë komunikimit me qytetarët kurse në dokumente zyrtare vazhdojnë të qëndrojnë emrat nga koha e ish Jugosllavisë.

Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë përfunduar.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments