Kryetarja e Komunës së Shkupit Danella Arsovska, mohon se në komunat e tjera ka ndërtime pa leje sikurse në Çair. Thotë se kjo komunë është vrima e zezë e Qytetit të Shkupit. Arsovska mohon që deklaratat e saj për situatën në çair të kenë prapavijë politike.
“Çështja është se nuk ka asnjë prapavijë politike pas kësaj dhe nuk ka asnjë komunë tjetër në qytetin e Shkupit që ka kryer një krim të kësaj madhësie, as edhe një të vetme, e kam thënë shumë herë dhe qëndroj pas kësaj me përgjegjësi”, tha Arsovska.
Lidhur me padinë e paralajmëruar nga kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu, kryetarja e Qytetit të Shkupit thotë se mezi pret të përballet me të. Muajin e kaluar, Prokuroria hapi hetim për ndërtime ilegale në komunën e Çairit, pasi Arsovska akuzoi se ndërtimet në këtë komunë ishin legalizuar në mënyrë të paligjshme./ Alsat.mk