Ministri i Sigurisë i Bosnjës, Nenad Neshiq, u arrestua të enjten bashkë me gjashtë persona të tjerë nën akuzat për krim të organizuar, përfshirë pastrimin e parave, abuzimin e postit publik dhe marrjen e ryshfetit, thuhet në një deklaratë të Zyrës së Prokurorit të Shtetit.
Prokurori Shtetëror dhe Ministria e Brendshme e Republikës Serbe të Bosnjës kanë qenë duke e hetuar korrupsionin e dyshimtë në kompaninë publike “Rrugët e RS-së”, ku Neshiqi ishte menaxher gjeneral nga viti 2016 deri më 2020, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.Në mesin e të arrestuarve janë edhe menaxheri gjeneral i tanishëm i kompanisë, Milan Dakiq, si dhe Mladen Luçiq, vëllai i një ish-ministri.
Askush nga kompania nuk ishte menjëherë i qasshëm për koment. Neshiqi, Dakiqi dhe Luçiqi nuk mund të kontaktoheshin për komente.Prokuroria nuk i publikoi emrat e katër personave të tjerë që janë arrestuar.
Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, e akuzoi Zyrën e Prokuroit për fushatë përndjekjeje kundër zyrtarëve qeveritarë serbë.
“Procedura e nisur nga Zyra e Prokurorit të Bosnjës kundër ministrit të Sigurisë, Nenad Neshiq, është tërësisht e papranueshme” – shkroi Dodiku në rrjetin X.