Pas gati dy dekadash në arrati, është arrestuar 52-vjeçari Besim Sherifi, i dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë të anëtarëve të familjes Jusufi në fshatin Kopanicë të Shkupit, ngjarje e ndodhur më 5 tetor 2007.
Ai fshihej prej kohësh në kryeqytet duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara në emër të një shtetasi nga Kosova. Ai u lokalizua dhe u kap në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, transmeton Albeu.com.
Nga verifikimet rezultoi se Sherifi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkupit, në vitin 2007, i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Vrasja”, e cila parashikon dënim maksimal burgim të përjetshëm.
Por si ndodhi rasti tragjik me tre të vrarë në Kopanicë të Shkupit më 5 tetor 2007?
Vrasja katërfishe ndodhi pas një konflikti të ashpër mes dy familjeve, i cili kishte nisur pasi një vajzë nga familja Jusufi ishte larguar dhe ishte strehuar tek familja Sherifi. Tensionet kulmuan me përplasje të armatosur pranë varrezave të fshatit, ku fillimisht u vra Zija Jusufi (32), ndërsa më pas, gjatë sulmit në një shtëpi, humbën jetën edhe dy persona të tjerë, shkruan Albeu.com.
Për këtë ngjarje, më herët ishin dënuar me burgim të përjetshëm Sabri Sherifi dhe babai i tij Mitat Sherifi, ndërsa Fatmir Sherifi ishte dënuar me 10 vjet burg. Emri i Besim Sherifit kishte qarkulluar gjatë gjithë hetimeve, por ai nuk ishte përfshirë në aktakuzat për shkak të arratisë dhe pamundësisë për t’u arrestuar.
52-vjeçari Besim Sherifi u arrestua provizorisht me qëllim ekstradimin drejt Maqedonisë së Veriut, ndërsa materialet për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Shkupin, po ndjek procedurat për ekstradimin e tij.
Si iu zbulua?
Fillimisht, dy muaj më parë, forcat Operacionale kishin marrë informacion në rrugë operative se një person i skeduar për vrasje fshihej në një apartament në zonën e Liqenit të Thatë. Pasi kanë bërë identifikimin e tij, pala shqiptare ka kërkuar informacion tek autoritetet në Maqedoninë e Veriut dhe kanë konkluduar se 52-vjeçari Besim Sherifi ishte në kërkim ndërkombëtar. Pasi forcat operacionale ndërhynë në banesën që ai qëndronte me qira, 52-vjeçari u ka thënë “nuk jam un personi që kërkoni. Nuk kam kryer asnjë vrasje, jam shtetas kosovar”.
Por sipas burimeve, shenjat e gishtave zbuluan se personi në fjalë ishte Besim Sherifi.
Vrasja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur në vitin 2007 në fshatin Kopanica, në Shkup ku janë vrarë 3 persona. Për të gjykata kishte caktuar arrest në burg në mungesë, që sipas legjislacionit penal në Maqenoninë e Veriut parashikon dënim me burgim të përjetshëm. /albeu.com/
