27.1 C
Tetovo
E martë, 16 Shtator, 2025
BallinaLajmeArbër Ademi: Nuk kemi bashkëpunim me Levicën, qëllimi i Mickoskit është asimilimi...

Arbër Ademi: Nuk kemi bashkëpunim me Levicën, qëllimi i Mickoskit është asimilimi politik i shqiptarëve!

Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi ka deklaruar se mes BDI-së dhe Levicës nuk ka asnjë lloj bashkëpunimi, pas akuzave të kryeministrit Mickoski, se Levica ka nxjerrë kandidatë në disa komuna me shumicë shqiptare, me çka po tenton ta shpëtojë BDI-në.

Fjalimi i plotë:

Mbrëmë, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, para gjithë opinionit publik në Maqedoni e zbuloi hapur thelbin e politikës së tij: “Qëllimi i këtyre zgjedhjeve është që BDI të zhduket nga skena politike.”

Me këtë, Mickoski e konfirmoi vërtetësinë e asaj që BDI e ka thënë me muaj të tërë, Mickoski dëshiron të jetë ai që vendos për shqiptarët dhe në emër të shqiptarëve.

Kjo platformë ideologjike e rrezikshme, për të cilën kemi paralajmëruar vazhdimisht, tashmë doli në pah. Ideja e Mickoskit, vegël e projektit famëkeq të “botës serbe”, është të pengojë bashkimin dhe përfaqësimin e fuqishëm të shqiptarëve. Vetëm në këtë mënyrë ai dhe patronët e tij nga veriu do të mund të vazhdojnë ta poshtërojnë popullin shqiptar, duke mbajtur në pushtet politikanë shqiptarë të nënshtruar e të dobët, si ata të VLEN-it, që heshtin vetëm për të ruajtur karriget e tyre.

Mickoski nuk kërkon të fitojë zgjedhje, por të fshijë një ide të tërë politike për barazi, të eliminojë një popull të tërë nga jeta publike e politike e Maqedonisë.

Kur Mickoski thotë “BDI të zhduket”, ai thotë se shqiptarët nuk kanë të drejtë të vendosin vetë kush i përfaqëson. Ai pretendon se ka ardhur koha që dikush tjetër – saktësisht ai – të përcaktojë se cili shqiptar është i pranueshëm, cili mund të ulet në tryezë e cili jo. Ky është një tentim për pastrim politik që do t’i kthehet në bumerang.

Mickoski duhet ta dijë se shqiptarët vendosin vetë për përfaqësuesit e tyre. Dhe me këto deklarata ai vetëm e hapi derën e ferrit që e pret më 19 tetor. Më 19 tetor, kukullat e tij nga VLEN-i do të pësojnë një disfatë të turpshme. Më 19 tetor, Mickoski do ta ndjejë fuqinë dhe vendosmërinë e shqiptarëve që nuk pranojnë zgjidhje të imponuara. Një herë këtë gabim e bëri Zaev, të njëjtin gabim po e përsërit edhe Mickoski.

BDI mund të mos ketë qenë e përsosur, por ka qenë gjithmonë zgjedhja e shqiptarëve. Jo e Mickoskit. Jo e shtabeve qendrore të VMRO-së. Jo e strukturave që duan shqiptarë të bindur, që ngrisin dorën kur u thuhet.

Prandaj, më 19 tetor shqiptarët do të thonë qartë:
Askush, absolutisht askush, nuk ka të drejtë të zgjedhë përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, përveç vetë shqiptarëve.

Më tragjike është se VLEN është vegla e tij. VLEN është projekti i tij për një skenë politike shqiptare të kontrolluar. VLEN është kali i tij i Trojës në Çair, në Tetovë, në Strugë. Qytetarët këtë e shohin, e ndjejnë dhe e dinë.

Prandaj këto zgjedhje nuk janë vetëm për komunat. Këto zgjedhje janë për të ardhmen. Për të vendosur nëse do të kemi një përfaqësim politik shqiptar dinjitoz e të fuqishëm, apo do të lejojmë të tjerët të na diktojnë jetën politike.

Mesazhi ynë është i qartë: Ne nuk do të zhdukemi, nuk do të përulemi, nuk do të lejojmë askënd të zgjedhë rrugën tonë.

BDI është këtu dhe do të mbetet, sepse ne jemi zëri i shqiptarëve. Zëri i atyre që nuk pranojnë të margjinalizohen. Zëri i atyre që kërkojnë dinjitet, barazi dhe të drejtën për të zgjedhur vetë.

Më 19 tetor, të gjithë shqiptarët do t’i përgjigjen thirrjes së Mickoskit – por me votim masiv. Do t’i përgjigjen me demokraci, me zërin dhe me vullnetin e popullit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments