Për krahasimet e sjelljes së tij me atë të Luigjit të XIV-të, Taravari thotë se janë tendencioze dhe me qëllim të keq. Ai thotë se qytetarët janë të kënaqur me Qeverinë, por jo edhe me punën dhe përfaqësimit të VLEN-it në Qeveri!
Në intervistë për 360 gradë, Arben Taravari konfirmon se në takimet me liderët e tjerë të koalicionit VLEN ka propozuar që katër partitë të dalin me lista të veçanta për këshillat komunalë, ndërsa të kenë kandidatë të përbashkët për kryetarë komunash, por kjo është refuzuar nga Kasami, Mexhiti dhe Ibrahimi.
Për krahasimet e sjelljes së tij me atë të Luigjit të XIV-të, Taravari thotë se janë tendencioze dhe me qëllim të keq. Ai thotë se qytetarët janë të kënaqur me Qeverinë, por jo edhe me punën dhe përfaqësimit të VLEN-it në Qeveri!
360°: Pas informatave që janë shfaqur në opinion për dallimet midis jush dhe liderëve të tjerë në koalicionin VLEN lidhur me mënyrën e daljes në zgjedhjet lokale, a mund të na tregoni cilat ishin kërkesat tuaja që dukshëm ndezën debatet?
Taravari: VLEN u formua para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale vitin e kaluar. Arritëm një rezultat relativisht të mirë, them relativisht sepse morëm 107.000 vota shqiptare, pasi nuk kishte parti turke, boshnjake apo rome, por vetëm katër parti shqiptare – dhe kjo është një arritje e mirë. Shumë më mirë se BDI në vitin 2020 kur morën 105.000 vota, dhe në vitin 2016 kishin 85.000 vota. Ndoshta BDI ka pasur më shumë vota në zgjedhjet lokale të vitit 2013 me 153.000 vota, por zakonisht kanë pasur mes 85.000 dhe 105.000 vota. Ne, si VLEN, morëm 107.000 vota. Pas formimit të Qeverisë, liderët e partive të koalicionit VLEN u takuam dhe unë që atëherë u thashë se do të ishte mirë që në zgjedhjet lokale të shkojmë me lista të ndara për këshillat – pra një kandidat unik i VLEN për kryetar komune, por listat për këshilltarë të jenë të veçanta. Shpresonim që ndoshta do të kishte lista të hapura, por fatkeqësisht nuk ia dolëm as për këto zgjedhje lokale, edhe pse ishte paralajmëruar që nga viti 2021. Unë mendoj – dhe mendoj që nga korriku ose gushti i vitit të kaluar – se nëse në Tetovë ka 31 këshilltarë dhe kemi katër parti, të gjitha me listat e tyre, do të kemi 124 kandidatë për këshilltarë. Kjo do të relaksonte strukturat, pasi edhe tani e ndajmë pushtetin në katër pjesë dhe kjo krijon pakënaqësi dhe frustrime. Por pashë që të gjitha partitë në VLEN – përveç nesh – mendojnë se duhet të shkohet me listë të përbashkët. Pastaj u propozova një opsion tjetër – le të shkojnë tri partitë që ishin pjesë e LEN më parë me një listë, dhe ne, Aleanca për Shqiptarët, të kemi një listë të veçantë për këshilltarë. Këtu kemi mbetur. Kjo është, nëse mund të them, për momentin ndonjë mosmarrëveshje…
360°: Po, më 24 mars ishte ai takim, siç u raportua në media, një javë më parë.
Taravari: Kishim takime si më 24 ashtu edhe më 25 mars.
360°: U shfaqën disa raportime mediatike ku ju ju krahasuan me Luigjin e XIV-të, me thënien “Shteti, jam unë”, “VLEN, jam unë”, për mënyrën si kinse jeni sjellë në ato takime. Ato janë metafora për absolutizëm. Si i komentoni këto raportime?
Taravari: Përkundrazi, janë tendencioze dhe me qëllim të keq. E di kush i përgatit dhe kush i porosit, por janë tendencioze.
360°: Kjo ndoshta është nxjerrë nga ndonjëri prej partnerëve tuaj?
Taravari: Nuk besoj. Më tepër mendoj se dikush ka treguar për atë që kemi diskutuar. Nuk është përmendur asnjë përqindje, as nuk kam thënë ndonjëherë se unë jam VLEN… Shumë rrallë përdor fjalën “unë”, zakonisht përdor “ne”… Megjithatë, ka tendenca, për fat të keq. Nuk besoj se janë nga VLEN, më tepër mendoj se janë nga BDI, të cilët marrin ndonjë informacion nga përfaqësues të ndonjë partie nga VLEN për të thelluar dallimet mes partive – bëhen porosi dhe media të caktuara e shfrytëzojnë këtë. Por kurrë, në asnjë moment nuk kam thënë e as e përjetoj veten si të tillë. E përjetoj veten si pjesë të VLEN. Rezultati i mirë është produkt i sinergjisë, ndoshta asnjë parti nuk do të arrinte të mbledhë 107.000 vota veçmas. Sinergjia ka ndikuar për 10-20 mijë vota shtesë. Në asnjë moment nuk kam thënë se ne jemi dominues. Ata përmendën përqindje, por nuk është folur fare për përqindje. Madje përmendëm komuna specifike si Çairi, ku dominon Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit. Besa dominon në Zhelinë dhe Tetovë, në Gostivar dhe Vrapçisht është Aleanca. Kam thënë se zgjedhjet lokale dallojnë nga ato parlamentare, në disa komuna mund të propozojmë secila parti nga një emër, të bëjmë sondazhe të dyfishta dhe të shohim cili është kandidati më i mirë dhe më i pranueshëm, i cili do të jetë kandidat i VLEN, jo i një partie të vetme.
360°: Një nga zërat që qarkullon është se në fakt po negociuani me VLEN për të mos arritur marrëveshje, pasi jeni tashmë të marrëveshur me BDI.
Taravari: Nuk ka lidhje me BDI.
360°: Keni kontakte me BDI?
Taravari: Shihni, kanale komunikimi kanë ekzistuar dhe nuk besoj se ndonjëra nga partitë nuk ka. E dini si është, kjo është një shtet i vogël, kështu që ka njerëz që komunikojnë dhe më informojnë se ka komunikim. A jemi marrë vesh? Kur të biem dakord, do ta bëjmë publike, s’kemi ç’të fshehim. Në fund të fundit, dua që VLEN të bëjë rezultat të mirë, por gjithashtu dua që edhe Aleanca për Shqiptarët të ketë rezultat të mirë, ashtu siç dëshiron Bilall Kasami për Besën, Zeqirija Ibrahimi për Alternativën, Izet Mexhiti për partinë e tij. Kjo është normale.
360°: Ka sinjale nga BDI që duan të bashkëpunojnë me strukturën tuaj në zgjedhjet lokale?
Taravari: Ka sinjale, sigurisht që ka. Nuk janë vetëm me Aleancën, BDI sigurisht ka komunikim edhe me partitë tjera të VLEN. Kjo nuk është diskutabile dhe ka informata të tilla, por kjo nuk ka rëndësi. Shihni, opsioni tjetër, nëse nuk biem dakord në VLEN, për ne është të dalim vetëm në zgjedhje. Në fund të fundit, nëse dalim me listë për këshilltarë dhe kandidatë atje ku mendojmë, nëse shkojmë në raundin e dytë, natyrisht që do të kërkojmë përkrahje – aty ku shkon BDI, do të kërkojmë përkrahje nga VLEN, ku nuk shkon BDI, do të kërkojmë përkrahje nga BDI. Por do të shohim. Për momentin kjo është opsioni i dytë… Tani ua kemi lënë deputetëve, ata janë më të sinkronizuar, le të ulen e të bien dakord. Kanë bërë një version draft. Nëse arrijnë me të – u kam thënë vetëm silleni që jeni marrë vesh, unë do të jem i pari që do të votoj.
360°: Cili është ai version?
Taravari: Shihni, kryesisht janë listat e këshilltarëve dhe kandidatët e mundshëm për komunat.
360°: Versioni parasheh daljen e përbashkët me lista për këshilltarë?
Taravari: Po, edhe për listat për këshilltarë – një opsion që edhe unë mendoj se është në rregull. Nëse bien dakord në parim, ua kam thënë – merreni marrëveshjen në Kuvendin Qendror, unë do të jem i pari që do ta votoj.