Në Tetovë, pritshmëritë ishin të qarta: zgjidhja e problemit të parkingut, përfundimi i objektit të bibliotekës, shndërrimi i Kalasë së Tetovës në një muze dhe qendër turistike, zgjidhja e kaosit në komunikacion, përfundimi i stadiumit të qytetit dhe krijimi i kushteve për sport, sallat e sportit nëpër të gjitha shkollat, një qytet i pastër dhe mirëmbajtur, dhe shumë të tjera.
Por realiteti është krejt tjetër. Nga Vlen dhe nga komuna e menaxhuar prej tyre, qytetarët kanë përfituar vetëm kaos: ndërtime të larta pa kushte elementare si gjelbërimi dhe parkingu, biblioteka nuk ka filluar e as nuk përmendet, Kalaja e Tetovës nuk është në planet e tyre, problemet me Kodrën e Diellit dhe qendrën e skijimit vetëm sa thellohen. Stadiumi i qytetit nisi vonë, punët ecin ngadalë, pastertia e qytetit është në shkallën më të ulët, dhe hapsirat publike që mund të shfrytëzoheshin për parqe ose vendpushime po shndërrohen në ndërtesa private ose parkingje për përfitime personale.
Tetova po ngulfatet në kaos çdo ditë. Qyteti po betonizohet, po shfrytëzohet për interesa individuale dhe përfitime të grupeve, ndërmarrjet komunale janë privatizuar, çmimet e shërbimeve po rriten, dhe qytetarët po detyrohen të paguajnë përfitimet e tyre personale përmes tatimit pronësor, ndriçimit publik, mbeturinave dhe ujit.
Por një gjë duhet të mbahet mend: Tetova është e tetovarëve, jo e grupit të Vlenit dhe interesxhinjve. Tetova do të denojë keq keqmenaxhimin dhe do të mbrojë të ardhmen e saj. Tetovë, qëndro e fortë — si gjithmonë ke fituar beteja të rënda, kësaj betejë do t’i dalim përballë dhe do ta fitojmë.
