18.1 C
Tetovo
E diel, 22 Qershor, 2025
BallinaLajmeArben Fetai: Për herë të parë pas MO-së, të drejtat tona mbrohen...

Arben Fetai: Për herë të parë pas MO-së, të drejtat tona mbrohen me ligj të qartë dhe mekanizma zbatimi,me Ligjin për Përfaqësimin e Drejtë dhe Adekuat

– Zëvendëskryeministri, Arben Fetai, ka bërë të ditur se për herë të parë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, në vitin 2001, të drejtat e shqiptarëve dhe të bashkësive të tjera po mbrohen në mënyrë të strukturuar dhe të detajuar përmes një Ligji për Përfaqësimin e Drejtë dhe Adekuat, i cili është në përgatitje për miratim qeveritar.

Në një postim në Facebook, Fetai theksoi se ky ligj historik parashikon jo vetëm përfaqësim proporcional të të gjitha bashkësive në institucionet publike, por edhe mekanizma të qartë për zbatim dhe mbikëqyrje politike, të cilët kanë munguar për dy dekada.

Ligji parasheh:

  • Përfaqësim proporcional të bashkësive në institucionet shtetërore, sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë;
  • Formimin e një trupi koordinues qeveritar, të kryesuar nga zëvendëskryeministri, që do të ketë rol mbikëqyrës për zbatimin e ligjit;
  • Miratimin e një metodologjie të re, që do të përfshijë masa korrigjuese për adresimin e nënpërfaqësimit;
  • Përcaktimin e përkatësisë etnike përmes vetëdeklarimit vullnetar, emrit dhe mbiemrit në gjuhën amtare të regjistruar në dokumente zyrtare, përfshirë letërnjoftimin;
  • Harmonizimin e të gjitha ligjeve përkatëse me këtë ligj brenda një afati prej gjashtë muajsh, duke ndaluar çdo përjashtim për institucione si mbrojtja, siguria apo inteligjenca.

Sa i takon vendimit për dërgimin paraprak të projektligjit në Komisionin e Venecias, Fetai rikujtoi se kjo praktikë ishte aprovuar edhe më parë nga aktorë politikë të sotëm opozitarë. Në veçanti, ai përmendi se më 13 tetor 2024, Arben Taravari ishte pajtuar me Kryeministrin për këtë hap, si garanci për përputhjen me legjislacionin e BE-së.

Sipas Fetait, ky filtër ndërkombëtar shërben edhe si mbrojtje kundër tentativave për sabotim nga Gjykata Kushtetuese, të cilën ai e cilëson si të kontrolluar nga BDI, duke sjellë si shembull precedent ligjin për gjuhët. “Dërgimi në Venecia pas miratimit në Qeveri eliminon çdo mundësi për manipulime nga gjyqtarët e zgjedhur nga BDI-SDSM”, shkroi Fetai.

Ai përfundon duke shtuar se VLEN po ndërton një të ardhme me dinjitet dhe barazi, duke kthyer premtimet e pathyeshme të Marrëveshjes së Ohrit në realitet të prekshëm dhe të zbatueshëm me ligj.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments