22.2 C
Tetovo
E shtunë, 2 Gusht, 2025
BallinaOpinionArben Fetai – Ermal Pandurit: Të paskan rrejt këta patriotët me bateria

Arben Fetai – Ermal Pandurit: Të paskan rrejt këta patriotët me bateria

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka reaguar ndaj gazetarit Ermal Panduri, pas një përplasjeje që nisi nga emisioni i këtij të fundit. Përmes një reagimi, Fetai akuzon Pandurin dhe segmente të tjera mediatike se po përpiqen të manipulojnë opinionin publik përmes videove të montuara dhe deklaratave melodramatike.

Më poshtë reagimi i plotë i Fetait:

Ermal i dashur,

Të paskan rrejt këta patriotët me bateria.

E vërteta nuk fshihet as me video të manipuluara, as me fjalime melodramatike të atyre që guxuan t’i quajnë “fruta të kalbur” të rinjtë shqiptarë që i thanë jo tradhtisë.

Kryeministri këtë javë në Kuvend e konfirmoi të vërtetën skandaloze që e thashë në emisionin tënd: Arben Taravari, tinëzisht dhe si skllav i Aliut dhe Artanit, i ka kërkuar atij ta fusë BDI-në në Qeveri.

Nuk kam për çfarë të kërkoj falje as ty, as shqiptarëve, Ermal. Përkundrazi.

Dielli nuk mbulohet me shoshë, dhe rrena nuk kalon. Nuk kalon as propaganda e stilit gebelsian e të korruptuarve të shpallur non grata nga SHBA dhe të cilët ikin nga drejtësia.

Falë punës sime, sot shqiptarët kanë ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, që duhej të ishte miratuar 22 vjet më parë. Për herë të parë, shqiptarët kanë qasje të barabartë në financat e buxhetit shtetëror. Për herë të parë, ata po punësohen dhe po avancohen pa diskriminim. Për herë të parë, shqiptarët po përfaqësohen nga njerëz të pakorruptuar dhe të pashantazhueshëm.

Ermal, këta batakçinj të regjur po bëjnë gjithçka për ta rikthyer Artan Grubin në pushtet. Ti, që e di rëndësinë e miqësisë me SHBA-të, e di edhe që Grubi është në listën e zezë amerikane, jo për shkak ndonjë vepre kombëtare, por sepse liroi nga burgu kasapin e shqiptarëve, Sasho Mijallkovin. Viktimat e tij sot janë dy metra nën dhe në Maqedoninë e Veriut e ne Kosovë, ose të dënuar padrejtësisht me burg të përjetshëm.

Së fundmi, Ermal, është mirë që Kosova ngrit zërin për çdo shqiptar. Poashtu është e vërtetë që marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës i gjetëm të rrënuara, sepse të korruptuarit mund t’u shërbejnë vetëm atyre që kundërshtojnë pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Gjatë këtij viti që po e lëmë pas, kemi bërë gjithçka për të shëruar këtë marrëdhënie të lënduar. Jam krenar që sot miqësia mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës është në një nivel të paparë ndonjëherë.

PS: unë turqisht nuk flas por tregoi atij që e ke shpërndarë në murin tënd se shqip, batakçiu është ai që mashtron për të nxjerrë një përfitim për vete, një njeri i pandershëm të cilit nuk mund t’i zihet besë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments