Si pjesë e procedurave qeveritare dhe institucionale, po presim që Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve dhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve të shqyrtojnë nëse Ministria e Drejtësisë ka vepruar në kundërshtim me ligjin.
Nëse konstatohet shkelje, do të kërkohet përgjegjësi ligjore dhe institucionale nga Ministri i Drejtësisë, sipas ligjit, për moszbatim të obligimeve të tij.
Refuzimi i Ministrisë së Drejtësisë për të lejuar provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe është vendim arbitrar, juridikisht i pambështetur dhe institucionalisht i rrezikshëm.
Pavarësisht mangësive që ka, Ligji për përdorimin e gjuhëve është ligj në fuqi dhe obligues. Asnjë institucion nuk ka të drejtë ta zbatojë sipas dëshirës, e aq më pak ta injorojë. Mbi të gjitha, Ligji për provimin e jurisprudencës nuk përmban asnjë ndalim që provimi të zhvillohet në gjuhën shqipe.
Kjo është fakt juridik, jo interpretim politik.
Pretendimi se provimi “duhet të jetë vetëm në maqedonisht” nuk mbështetet në asnjë nen konkret ligjor.
Kjo nuk është çështje politike.
Është çështje e barazisë para ligjit dhe funksionimit serioz të shtetit.
Ligji zbatohet. Përgjegjësia nuk anashkalohet.
