8.7 C
Tetovo
E premte, 1 Nëntor, 2024
BallinaLajmeAnaliza e REL/ “Vështirë për Serbinë”, shkaku edhe i Kosovës, edhe i...

Analiza e REL/ “Vështirë për Serbinë”, shkaku edhe i Kosovës, edhe i Srebrenicës

Do të jetë vështirë, më së vështiri deri më tani – kështu tha së voni presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, teksa paralajmëroi “ditë të vështira” për Serbinë.

Më pas, ai identifikoi si sfida vendimmarrjen në Këshillin e Evropës për pranimin e Kosovës dhe një propozim-rezolutë në Kombet e Bashkuara për gjenocidin në Srebrenicë.

Në një seancë të jashtëzakonshme të Qeverisë së Serbisë, më 4 prill, ai kërkoi formimin e ekipeve për “bashkëpunim të të gjitha forcave”, në të cilat duhet të bëjnë pjesë Qeveria, Parlamenti dhe Presidenti i Shtetit.

Vuçiç ishte i vetmi që foli në seancë, duke i paraqitur Qeverisë serbe një sërë kërkesash dhe sugjerimesh.

Kosova dhe Këshilli i Evropës

Të bëhen të gjitha përpjekjet që Kosova të mos anëtarësohet në Këshillin e Evropës, kërkoi Vuçiq në mbledhjen e Qeverisë së Serbisë.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të votojë për pranimin e Kosovës më 16 prill, ndërsa vendimi përfundimtar pritet në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 16 maj.

Përveç formimit të një ekipi që do të merret me këtë çështje, Vuçiç kërkoi nga Qeveria që të gjithëve t’u dërgojë një të ashtuquajtur non-paper.

Në këtë dokument diplomatik jozyrtar duhet të shprehet qëndrimi i Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, që është organizata kryesore në kontinent në fushën e të drejtave të njeriut.

Në vend që të këmbëngulë se “Kosova nuk është shtet”, Vuçiç sugjeroi ndryshimin e qasjes, duke theksuar se Kosova nuk e ka formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia u pajtuan me një marrëveshje në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por Kosova nuk e formoi atë.

Në Këshillin e Evropës janë 46 vende, përfshirë 27 anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit.

Shumica e shteteve anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën si shtet.

Në dy raste, Serbia votoi kundër kërkesës së Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës, të cilën Prishtina e dorëzoi qysh në maj të vitit 2022.

Por, me Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit u obligua që të mos e pengojë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Këtë marrëveshje, dy vendet e arritën në shkurt të vitit 2023, ndërsa për aneksin e zbatimit të saj u pajtuan në mars të atij viti.

Megjithatë, zyrtarët në Beograd thonë vazhdimisht se nuk do t’i zbatojnë të gjitha dispozitat e marrëveshjes.

Kosova, po ashtu, nuk i zbatoi disa obligime të veta, përfshirë ato që kanë të bëjnë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Gjenocidi në Srebrenicë dhe rezoluta e OKB-së
Parandalimi i miratimit të rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është detyra e dytë që Vuçiç ia ka vënë Qeverisë dhe vetes.

“Të përpiqemi të luftojmë sa më shumë, duke treguar gjithmonë respekt për viktimat që kanë pësuar”, tha ai.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e shpalli gjenocid krimin e kryer në Serbrenicë nga forcat serbe, në korrik të vitit 1999. Atëkohë, ato vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë brenda pak ditësh.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë miratoi, gjithashtu, disa vendime që konfirmonin gjenocidin në Srebrenicë.

Vuçiç paralajmëroi mundësinë që më 21 prill të shkojë në Nju Jork për të biseduar me sa më shumë përfaqësues të shteteve anëtare të OKB-së.

Ai tha se do që të bisedojë personalisht me presidentët e vendeve mike afrikane, si Egjipti, Algjeria, Kongoja, Namibia dhe Uganda.

Ai shtoi se nuk ka asnjë akt në OKB që thotë se Gjermania ka kryer gjenocid në Luftën e Dytë Botërore.

Përveç pretendimeve të Vuçiçit, tash për tash nuk ka asnjë informacion zyrtar për rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, të cilën do ta nxirrte OKB-ja.

Duke folur për publikun më 29 mars, Vuçiç tha se Serbia ka marrë informacione nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së se një rezolutë e tillë do të jetë në rend dite më 27 prill, si propozim i Gjermanisë dhe Ruandës.

Ai vlerësoi se me miratimin e asaj rezolute, do të dilte edhe iniciativa për shfuqizimin e Republikës Sërpska, e më pas edhe kërkesa për dëmshpërblime të luftës nga Serbia.

Millorad Dodik, udhëheqës i Republikës Sërpska – entitet serb në Bosnje e Hercegovinë – tha më 2 prill se kundërshton propozim-rezolutën për gjenocidin.

“Ata përpiqen me këmbëngulje që të nxjerrin keq vetëm Republikën Sërpska dhe një komb”, tha Dodik.

Beogradi zyrtar, prej vitesh, kundërshton miratimin e rezolutave apo deklaratave që krimin në Srebrenicë e cilësojnë si gjenocid.

Zyrtarët serbë thonë se në Srebrenicë ka ndodhur një krim i tmerrshëm, por nuk pranojnë se ishte gjenocid.

Nëntë vjet më parë, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rusia bllokoi miratimin e një rezolute që dënonte gjenocidin në Srebrenicë, e cila u propozua nga Britania e Madhe dhe u mbështet nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Edhe atëherë Serbia loboi kundër miratimit të rezolutës.

Në mars të vitit 2010, në kohën e Qeverisë së atëhershme, Parlamenti i Serbisë miratoi Deklaratën për Dënimin e Krimeve në Srebrenicë.

Ai dokument e dënon krimin e kryer në mënyrën që ka përcaktuar vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por termi gjenocid nuk përmendet në deklaratë./REL

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments