-0.3 C
Tetovo
E diel, 24 Nëntor, 2024
BallinaLajmeAnalistët në hamendje për fatin e Lëvizjes Demokratike: Partia e Mexhitit, mund...

Analistët në hamendje për fatin e Lëvizjes Demokratike: Partia e Mexhitit, mund të përfundojë si “Uniteti”

Shkëputja e Izet Mexhitit nga Bashkimi Demokratik për Integrim, solli në skenën politike Lëvizjen Demokratike. Se sa do të mund t’i rezistojë kohës, kjo Lëvizje dhe a do ta ketë edhe kjo fatin e Unitetit, Demokracisë së Re dhe RDK-së mbetet të shihet.

Se si do të vijojë jeta politike e Lëvizjes Demokratike, indeks.mk pyeti analistët politikë, Xhelal Neziri dhe Sefer Selimi.

Si Neziri po edhe Selimi janë të mendimit se kjo lëvizje shumë shpejtë mund të përfundojë në “humnerë”, njëjtë siç përfunduan, Gëzim Ostreni, e liderët e partive të vogla, që dolën në skenë nga shkëputje të ngjashme.

Analisti Xhelal Neziri theksoi se Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit është ende në formim e sipër. Thotë se ende nuk dihet orientimi e profilimi ideologjik apo kursi i saj politik.

“Përvojat e deritanishme tregojnë se subjektet që kanë lindur nga partitë amë nuk kanë arritur të kenë sukses. Merrni, për shembull VMRO-Popullore e Ljubço Georgievskit, e formuar në vitin 2005. Doli nga VMRO-DPMNE, u formua nga lideri historik i partisë, por nuk pati sukses. Ose NSDP e Tito Petkovskit, GROM e Stevce Jakimovskit që dolën nga LSDM. Edhe partitë që dolën nga BDI – si FRD apo UNITETI, – dështuan që në ciklin e parë zgjedhor. Në këtë drejtim bën përjashtim vetëm Aleanca për Shqiptarët, e cila doli nga PDSH dhe u bë më e fortë se partia amë. Sidoqoftë, përgjigjen do ta kemi shpejtë, pra në zgjedhjet e vitit të ardhshëm kur partia e Mexhitit do të përballet me testin e parë zgjedhor” tha Neziri.


Analisti politik Sefer Selimi u shpreh se është ende herët për të dhënë verdiktin final në lidhje me jetëgjatësinë e kësaj lëvizjeje. Por, sipas tij ky subjekt do të pësojë fatin e shumë partive tjera që janë shuar, nëse vazhdon që të merret vetëm me kritikat ndaj BDI-së.

“Është shumë herët për ta gjykuar ndërkohë që rrethanat politike nuk janë të njëjta siç kanë qenë në të kaluarën për të tërhequr paralele krahasuese me iniciativa të ngjashme në BDI. Megjithatë, ajo që do ta bëjë ndryshimin ose do ta përcaktojë nëse do ndjekin fatin e së kaluarës është vendosja karshi partisë nga e cila dalin, nëse do të vazhdojnë në mënyrë të vazhdueshme të merren vetëm me kritika shterpe ndaj BDI pa u ndertuar mbi analiza cilësore dhe konkrete dhe në të njëjtën kohë duke ofruar program politik që është kualitativ dhe që ofron alternativë qeverisëse”, tha Selimi.

Kujtojmë, Izet Mexhiti në fillimet e tija, ende pa e formuar Lëvizjen Demokratike, krah tij kishte Nevzat Bejtën, Blerim Bexhetin, Musa Xhaferin dhe Visar Ganiun, por pas formimit ai mbeti vetëm me kreun e Çairit, Visar Ganiu, sepse të gjithë të tjerët preferuan më përpara të qëndrojnë në BDI se sa të dalin në skenë me një parti të re politike./indeks.mk

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments