LAJMI QË QARKULLON
========================
LAJMI INTERAKTIV
www.telegrami.mk
Aggeler zgjodhi një përshëndetje “të bukur”, por la pas një bilanc politik të dobët. Letra e Hapur është plot me fjalë emocionale, mirënjohje dhe superlativa për “popullin”, por bosh nga thelbi kritik që zakonisht e kanë pasur ambasadorët amerikanë në Shkup. Nuk pati asnjë fjali për kapjen e shtetit, korrupsionin sistemik, presionin ndaj mediave apo degradimin e standardeve demokratike. Heshtje totale.Në letrën e saj të lamtumirës, Aggeler flet për “forcën dhe guximin e popullit”. Po pse nuk foli kurrë për padrejtësitë që e detyruan atë popull të jetë i fortë dhe i guximshëm? Pse nuk përmendi një herë të vetme përgjegjësinë e pushtetit?Projektet që i numëron – korridore, pajisje ushtarake – janë lista teknike, jo trashëgimi politike. Një ambasador amerikan në Ballkan nuk matet me kilometra asfalti, por me kurajë për të thënë të vërtetën. Dhe këtu, Aggeler dështoi.Heshtja e saj nuk ishte neutrale. Ishte zgjedhje. Dhe çdo zgjedhje diplomatike ka anë: ose je me parimet, ose me pushtetin. Aggeler e bëri të qartë se ku qëndroi.
Ndryshe nga paraardhësit e saj, që flisnin qartë dhe shpesh bezdisnin pushtetin, Aggeler zgjodhi rehatinë diplomatike. U fokusua në projekte infrastrukturore dhe blerje ushtarake – pra në interesa shtetërore dhe strategjike – jo në sundimin e ligjit dhe llogaridhënien politike. Kjo nuk është diplomaci parimore; është menaxhim marrëdhëniesh.
Fakti që po largohet në valën e tërheqjes së ambasadorëve të emëruar nga Biden vetëm sa e forcon përshtypjen se mandati i saj nuk la gjurmë politike. Ambasada “do të funksionojë normalisht”, po, por normaliteti në RMV prej kohësh është problem, jo arritje.
Në fund, kjo letër tingëllon më shumë si PR personale sesa si mesazh serioz për një vend me kriza të thella demokratike. Për këtë arsye, vlerësimi që ishte një nga ambasadoret më të dobëta të SHBA-së në Shkup është i justifikuar.Prandaj, largimi i saj nuk lë boshllëk. Lë vetëm një pyetje që mbetet pezull për historinë politike të RMV-së:A ishte ambasadore e vlerave amerikane – apo thjesht menaxhere e status quo-së?…www.telegrami.mk
===============================================================
MESUT SHABANI


