“Sulmet ndaj gjyqësorit nuk janë të denja për një vend demokratik”, deklaroi sot nga Vlora ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, duke iu referuar sulmeve të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndaj kreut të SPAK, Altin Dumanit.
I pranishëm në aktivitetin “Garancia Rinore” në Vlorë, ambasadori Gonzato i pyetur nga gazetarët mbi sulmet e Metës ndaj kreut të SPAK tha se, “e kam bërë të qartë edhe dje që ne nuk besojmë se sulmet ndaj gjyqësorit janë në fakt të denja për një demokraci. Kemi folur kështu që do ta lë me kaq”.
Sulmet e Metës ndaj Dumanit u dënuan edhe dje nga Delegacioni i BE në Tiranë ku në një reagim thuhej se, “sulmet apo intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci. Ne mbështesim dënimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të deklaratave të fundit të papranueshme publike të drejtuara kundër SPAK. Bashkimi Evropian qëndron pranë magjistratëve dhe profesionistëve shqiptarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.