Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se SHBA-ja dhe Serbia janë si “dy miq që janë rikthyer së bashku pas ndarjes dhe kanë marrëdhënie komplekse”.
Në pritjen me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, ku mori pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Hill tha në serbisht se ndonjëherë njëri mik dëshiron të flasë për të kaluarën dhe tjetri për të ardhmen, por që është e rëndësishme të flasësh dhe në atë frymë mund të ecin përpara, transmeton gazeta online Reporteri.net.
“Marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së janë komplekse, por ato janë duke u përmirësuar. Ato marrëdhënie janë shumë të rëndësishme për ne dhe të nevojshme për arritjen e paqes, sigurisë dhe për të ardhmen. Kur t’i ndërtojmë në mënyrë që të jenë të forta, ato do të ndihmojnë vendet të harrojnë të kaluarën dhe të ecin përpara”, tha Hill, raporton agjencia e lajmeve Beta.
Ai shtoi se Amerika po investon në Serbi, veçanërisht në të rinjtë e saj dhe se bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e teknologjisë paraqet një të ardhme të përbashkët.