17 C
Tetovo
E enjte, 3 Korrik, 2025
BallinaLajmeAmbasada gjermane i përgjigjet Serbisë: Thirrjet për uljen e tensioneve me Kosovën...

Ambasada gjermane i përgjigjet Serbisë: Thirrjet për uljen e tensioneve me Kosovën duhet të vlejnë për të gjithë njëlloj

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, i ka kërkuar Serbisë të bëjë më shumë në uljen e tensioneve me Kosovën në vend se vetëm të bëjë thirrje për ndaljen e veprimeve e Prishtinës, duke thënë se thirrjet duhet të vlejnë për të dyja palët njëlloj.

Në një reagim të mërkurën, Ambasada gjermane tha se e mori parasysh letrën e fundit të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i cili kërkoi nga Perëndimi t’i ndalë “veprimet përshkallëzuese të Prishtinës” lidhur me ndërtimin e planifikuar të dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Petkoviq e akuzoi kryeministrin e Kosovës në detyrë, Albin Kurti, se po i përdor urat mbi Ibër – lumin që ndan Mitrovicën me shumicë shqiptare në jug dhe me shumicë serbe në veri – për “fushatë zgjedhore”, pasi zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen këtë vjeshtë.

“Duke njoftuar se urat do të hapen në tetor, para zgjedhjeve lokale, Kurti me vetëdije po e vë çështjen e sigurisë në shërbim të fushatës zgjedhore… BE-ja duhet ta ndalojë Kurtin në planet e tij para se të jetë tepër vonë”, tha Petkoviq.

Ambasada tha se, derisa i ka bërë thirrje vazhdimisht dhe i bën edhe tani Qeverisë së Kosovës të përmbahet nga veprime që mund ta përshkallëzojnë gjendjen, thirrje të tilla vlejnë edhe për Serbinë.

“Nuk është Qeveria e Kosovës ajo që po dështon të zbatojë masa ligjore ndaj përgjegjësve për sulmin e tmerrshëm në Banjskë”, tha ajo, duke iu referuar sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në shtator 2023 në veri, ku u vra një rreshter policor.

“Fakti që udhëheqësi i vetëdeklaruar i atij sulmi, serbi i Kosovës dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Radoiçiq, e pranoi publikisht përgjegjësinë dhe megjithatë vazhdon të lëvizë lirshëm në territorin serb, minon thellë përpjekjet për ndërtimin e besimit dhe llogaridhënies në rajon”, tha ajo.

Kosova lëshoi fletarrestim për Radoiçiqin dhe ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia ta ekstradojë atë, por kjo nuk ka ndodhur edhe përkundër trysnisë nga Perëndimi që Beogradi të bashkëpunojë.

Tre nga 45 të akuzuarit për rastin e Banjskës janë duke u përballë me gjyq në Kosovë.

Duke iu referuar një thënieje në gjermanisht “Erstmal vor der eigenen Haustür kehren” – që në shqip do të thotë: fillimisht merruni me çështjet e tuaja, ajo tha se Serbia “duhet të vendosë rregull në oborrin e vet para se ta kritikojë vazhdimisht Kosovën për vendimet e saj”.

“Mosndjekja penale e autorëve të dhunës është po aq e dënueshme dhe kundërproduktive sa çdo veprim i pakoordinuar nga Prishtina”, tha ajo.

Më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Beogradi ka protestuar te fuqitë perëndimore, pasi Qeveria në detyrë e Kosovës vendosi gurë themelet për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër.

“Kanë bërë shumë gjëra dhe tani kemi parë që kanë vendosur gurë themele për dy ura, pa marrë pëlqimin e popullit serb dhe të njerëzve nga Mitrovica e Veriut, sepse kjo do të nënkuptonte eksod përfundimtar”, tha Vuçiq.

Njëra urë parashihet të jetë për këmbësorë dhe tjera për automjete.

Autoritetet kosovare thanë se projekti, me një vlerë prej rreth 3 milionë eurosh, ka për qëllim përmirësimin e qarkullimit dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet banorëve nga të dyja anët e lumit./rel

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments