Ambasada amerikane në Beograd ka dënuar sulmet vrastare dhe terroriste që ngjanë dje ndaj Policisë së Kosovës nga një formacion i armatosur terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Duke rishpërndarë deklarimin e zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Matther Miller, ambasada amerikane i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet apo retorikën që mund të nxisë tensionet dhe të kthehen në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmet e koordinuara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet apo retorikën që mund të nxisë tensionet dhe të kthehen në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar ambasada amerikane.