Kryesia Qëndrore e Alternativës vendosi se do të bëhen pjesë e Qeverisë. Pas mbledhjes, Orhan Murtezani nga Alternativa deklaroi se kryesia i dha dritë jeshile kryetarit Gashit të vazhdojë negociatat me kryeministrin Zaev
Ai tha se nesër në ora 13.00 Afrim Gashi dhe Zoran Zaev do të nënshkruajnë marrëveshjen.
Kuvendit Qendrorë i Alternativës sonte me shumicë votash ka marrë vendim që të bëhet pjesë e Qeverisë. Zëdhënësi i kësaj partie, Orhan Murtezani tha se eurointegrimet dhe zgjidhja e kontestit me Bullgarinë janë njëra prej arsyeve kryesore.
“Me këtë rast po i shpjegojmë disa nga arsyet që na ka shtyrë drejt këtij vendimi. Është këtu momenti historik i hapjes së negociatave për aderim në BE, dhe mbyllja e kontestit me Bullgarinë, që janë jo vetëm synime historike shtetërore por edhe shqiptare, sepse në këtë mënyrë bashkë me vendin tonë i hapet rruga integrimit dhe stabilitetit mbarë rajonit”, tha Murtezani.
Nga Alternativa thonë se kanë marrë garanci nga Qeveria aktuale për hetim ndërkombëtarë për disa raste gjyqësore.
“Jemi dakorduar që Qeveria të kërkojë hetim ndërkombëtarë për rastet që ka dyshime për montim politik, siç janë rastet “Monstra”, “Alfa”, “Lagjja e Trimave”, Almir Aliu, e të tjerë”, tha mes tjerash Murtezani.
Mes tjerash nga kjo parti, futjen në Qeveri e arsyetuan edhe me zhvillimin ekonomik të vendit.
“Zhvillimin ekonomik të zonës së Likovës, mbrojtjen e familjes së bërthamë të shoqërisë, por edhe pika për mbrojtjen e çmimit të rrymës elektrike e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme në këtë kohë”, deklaroi Murtezani.