BDI ka filluar të diskutojë dokumentet strategjike në programin e saj, për kongresin e ardhshëm të partisë, por ndryshe nga çfarë pritej në opinion, diskutimet i dhanë profesorët universitarë dhe funksionarë të saj. Me elozhe dhe fjalë miradije, të gjithë theksonin njëzëri, se sa ndryshime të reja do të ketë në këtë parti, edhe pse në idetë e ndara me mediat, BDI-ja quhet ende parti tematike, si ajo e dalë nga viti 2001 pas konfliktit. Dy rezolutat e para, nga 5 rezoluta të dala nga kongreset e mëparshme të kësaj partie, u vunë sot në debatin e kakofonisë së kësaj partie, “integrimi konsensual” dhe “Vettingu”, që si duket, pavarësisht se të dala nga kongrese të vjetra, tani u ka ardhur koha për tu realizuar.
Mbi të gjitha është ideja që unë e përshëndes, në drejtim të asaj që dëshmohet që BDI, me këtë e tejkalon vetveten dhe formohet në një parti, moderne, demokratike, bashkëkohore – tha Milaim Fetai, anëtar i Agjencisë së Mediave.
E përshëndes, sepse BDI po shkon përtej politikave të asaj që quhet Marrëveshje e Ohrit. Sepse vetë sfidat e shtetit shkojnë përtej asaj, vijnë fenomene të reja, vijnë sfida të reja, dhe për gjithë këto sfida duhen projekte konkrete dhe modele konkrete për ti realizuar – deklaroi Ylber Sela, Drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve.
Si shumë herë është parashtruar pyetja se çfarë ideologjie është Bashkimi Demokratik për Integrim? Dhe përgjigjja ka qenë është parti tematike që ka dy prioritete kryesore, ajo është implementimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe integrimi në strukturat Euroatlantike është koha që BDI ta shtrojë pyetjen se cilat janë prioritetet e tyre kryesore – u shpreh Rizvan Sulemani, profesor universitar.
Në kakofoni, BDI-ja pritet të thërrasë sërish të njëjtat figura edhe në shqyrtimin e pikave të tjera para kongresit, duke garantuar se tani është koha të merren politika për një “Jetë cilësore”, “Zhvillim, punë dhe mirëqenie” dhe strategji që “Rinia (të mbetet) në vend të vetë”.