5.9 C
Tetovo
E mërkurë, 1 Janar, 2025
BallinaLajme​Ali Ahmeti: Nuk më vjen mirë që Kosova ka marrëdhënie aq të...

​Ali Ahmeti: Nuk më vjen mirë që Kosova ka marrëdhënie aq të ftohta me SHBA-në e BE-në

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë se nuk është mirë që janë ftohur marrëdhëniet me SHBA-të dhe BE-në, pasi sipas tij, pa ndihmën e aleatëve është e vështirë që Kosova të aderojë në NATO.

Në një ceremoni të organizuar nga kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, në prag të Ditës së Veteranit, kryetari i BDI-së tha se bashkë me aleatët është çliruar Kosova, andaj sipas tij nevojitet një unitet shumë më i madh.

Me hyrjen e Kosovës në NATO dhe BE, qytetarët do të jetojnë të lirë, në paqe e stabilitet, tha Ahmeti.

“Ju jeni klasa më e lartë e sakrificës e angazhimeve që Kosova sot është shtet. Por misionet akoma s’kanë mbaruar. Me shumë se sot, ne na duhet uniteti të jemi krahët e njëri-tjetrit. Nuk më vjen mirë që marrëdhëniet janë aq të ftohta me Amerikën e Evropën, sepse pa organizimin e SHBA-së, BE-së dhe aleatëve tanë në NATO është shumë vështirë. Bashkë me aleatët e çliruam Kosovën. Ne na duhet uniteti akoma edhe më i fortë. Nuk më vjen mirë që gjuha shqipe nuk është gjithë zyrtare në qeveri. Kosova në NATO e në BE, të jetojmë të lirë në paqe dhe stabilitet”, tha Ahmeti.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, u shpreh se viteve të fundit ka pasur shumë sfida për vendin tonë, duke shpresuar që vitin e ardhshëm së bashku në këtë ditë, të jenë të pranishëm edhe bashkëluftëtarët që ndodhen padrejtësisht në Hagë.

“Kemi të drejtë ta festojmë këtë ditë, sepse UÇK është vlerësuar, ende vazhdon të vlerësohet që arriti ta fitojë lirinë, shtetin, pavarësinë. Ka djem Kosova, do të ketë, do të vijë dita që statusi i kategorive do të rregullohet. UÇK do të ketë shtëpinë e vet në çdo komunë të Kosovës. Kemi mbyll shumë sfida, uroj që vitin që vjen t’i kemi këtu edhe bashkëluftëtarët që po kalojnë në procese gjyqësore. Janë luftëtarët e lirisë, besojmë në pafajësinë e tyre”, u shpreh Haradinaj.

Kryetari i OVL UÇK, Faton Klinaku, tha se Dita e Veteranit është e përcaktuar me ligj, andaj kjo ditë duhet të bëhet edhe institucionale.

“Është shumë me rëndësi për secilin prej nesh. Është ndër datat më të rëndësishme të historisë së popullit tonë. Dita e Veteranit është e përcaktuar me ligj dhe për atë duhet të bëhet institucionale. Sot i gjithë populli shqiptar duhet të falënderoj veteranët burra e gra. Urime edhe bashkëluftëtarëve në Hagë”, tha Klinaku.

Sipas Ligjit për veteranët e luftës së UÇK-së, Dita e Veteranit shënohet më 30 dhjetor, për të përkujtuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e veteranëve për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës.

Kjo ditë sjell në kujtesën tonë edhe betejën e parë të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz, më 30 dhjetor 1991, aty ku nisi rruga e lirisë.

Në këtë ditë kujtohet deri në përjetësi Prekazi, Gllogjani e të gjitha vatrat e luftës, që i rezistuan makinerisë ushtarake serbe duke mos u përkulur deri në fitore.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments