7.8 C
Tetovo
E premte, 29 Nëntor, 2024
BallinaLajmeAli Ahmeti letër Mickoskit: Çdo prishje e re e marrëdhënieve ndëretnike do...

Ali Ahmeti letër Mickoskit: Çdo prishje e re e marrëdhënieve ndëretnike do të kishte pasoja serioze për kohezionin e brendshëm

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, pasi u dërgoi letra disa përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe krerëve të shteteve, në të cilat shprehte shqetësimin për mosrespektimin e Marrëveshjes së Ohrit, sot një letër të ngjashme i ka dërguar kryeministrit dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, lidhur me vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, njoftojnë nga partia opozitare

Në letër, Ahmeti thotë se vendimet kanë një efekt potencial negativ në “kohezionin ndëretnik në shtet”.

“Situata gjeopolitike është më e rrezikshme se në çdo kohë që nga fundi i shekullit të kaluar, me përshkallëzimin e agresionit rus në Ukrainë, ambiciet e Kinës, situatën komplekse në Ballkanin Perëndimor, paqëndrueshmërinë në Bosnje dhe Hercegovinë, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe bllokadat e vazhdueshme nga ana e Bullgarisë. Në këtë mjedis të komplikuar, çdo prishje e re e marrëdhënieve ndëretnike do të kishte pasoja të rënda për kohezionin e brendshëm dhe parashikueshmërinë”, thuhet në letrën drejtuar kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Mickoski.

Ahmeti në letër shton se vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të cilat sipas tij duket se përfaqësojnë ekzekutimin e programit të VMRO-DPMNE-së për shfuqizimin e mekanizmave kyç për mbrojtjen e komuniteteve, kanë shkaktuar shqetësim tek qytetarët të cilët janë të përkushtuar për ndërtim më të mirë të marrëdhënieve të qëndrueshme ndëretnike në vend.

“Marrëveshja e Ohrit, e cila solli mirëkuptim më të mirë ndëretnik, nuk është vetëm çështje politike, por është themeli i demokracisë, stabilitetit dhe progresit tonë shumë-etnik. Çdo përpjekje për ta vendosur në pikëpyetje, sidomos në kontekstin aktual, është një hap që mund ta përkeqësojë situatën në vend dhe në rajon”, thuhet në letrën e Ahmetit.

Në letër përmendet edhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, ku Ali Ahmeti shkruan se vendimet për ndryshimin apo rishikimin e tij “nuk janë vetëm politikisht të diskutueshme, por edhe të dëmshme për progresin dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve”.

“Ky është një zhvillim që mund të minojë fitimet e arritura me vështirësi dhe ta kthejë vendin në periudha pasigurie,” thuhet në letër.

Ahmeti i bën thirrje Mickoskit të “mendojë” me pjekuri dhe përgjegjësi dhe thotë se e ardhmja e vendit duhet të ndërtohet në bazë të bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë, e jo në ndarje.

Kujtojmë se Ali Ahmeti, të dielën (27.10.24) u ka dërguar letër udhëheqësve të lartë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, duke shprehur shqetësimet e tij lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut. Sipas BDI-së, letrat e dërguara nga Ahmeti adresojë tri vendime të fundit: shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndalimin e identifikimit etnik në institucionet shtetërore dhe formimin e një qeverie pa përfaqësim të drejtë etnik.

    Përdorimi i shqipes në Maqedoninë e Veriut nën llupën e Kushtetueses

    Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të vendosë në dhjetor lidhur me fatin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili u miratua shtatë vjet më parë. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski më 26 tetor 2024 tha se nuk kontestohet i gjithë ligji, por vetëm pjesa e gjyqësorit.

    Me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut detyrohen të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20% e qytetarëve të vendit. Kjo përfshin gjuhën shqipe, e cila përmendet si gjuha e një pjese të konsiderueshme të popullatës dhe përkufizohet në nenin e parë të këtij ligji. Gjithashtu, ligji siguron përdorimin e gjuhëve të tjera të komuniteteve me përfaqësim më të vogël se 20%. Ligji përcakton që elementë zyrtarë, si monedha, pullat postare, uniformat e policisë dhe zjarrfikësve, të përfshijnë gjithashtu shkrime në gjuhën që flitet nga së paku 20% e popullatës, një masë që përkrah identitetin gjuhësor të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera etnike në vend.

    Kushtetuesja shfuqizoi Balancuesin

    Më 9 tetor, Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut po ashtu vendosi të shfuqizojë Balancuesin, një mekanizëm softuerik që rregullonte përfaqësimin “e drejtë dhe adekuat” të komuniteteve etnike në administratën publike.

    Ky mekanizëm ishte krijuar për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001 dhe siguronte që përqindja e punësimeve të përputhej me përbërjen etnike të popullsisë. Gjithashtu, shfuqizimi i Balancuesit ngre pikëpyetje mbi kushtetutshmërinë e dispozitave që kërkojnë mbajtjen e të dhënave mbi përkatësinë etnike gjatë punësimeve në institucionet shtetërore.

    Sipas regjistrimit të popullsisë i vitit 2022, popullsia e Maqedonisë së Veriut numëron rreth 2 milionë banorë, nga të cilët 54.21% janë maqedonas dhe 29.52% shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër janë pjesëtarë të komuniteteve më të vogla.

    Në përgjigje të shfuqizimit të Balancuesit, koalicioni shqiptar VLEN, që është pjesë e Qeverisë maqedonase, ka njoftuar se është në proces të hartimit të një ligji të ri për përfaqësim etnik.

    Por, përkundër këtij pohimi të koalicionit VLEN, ministri i Administratës Publike, Goran Minçev ka deklaruar se “nuk është duke u përpiluar ligj për balancuesin ashtu siç pretendon koalicioni VLEN”.

    “Ne edhe ashtu kishim marrëveshjes me VMRO-DPMNE përpara se të fillojë koalicioni se fillimisht duhet të merremi vesh për ligjin për përfaqësim të drejtë dhe më pas, balancuesin”, ka thënë javë më parë, Arben Taravari, kryetar i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, pjesë e koalicionit VLEN.

    RELATED ARTICLES
    - Advertisment -

    Most Popular

    Recent Comments