Për të gjithë ata që e kanë parë përfshirjen e Albin Kurtit në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, është e pakuptueshme tash se si i njëjti nuk po merret fare me situatën atje, kur ndryshime që përcaktojnë të ardhmen po ndodhin. Kryeministri i Kosovës ka vendosur të mos merret as me letrën e liderit të opozitës shqiptare, Ali Ahmeti, kur ky ia numëroi telashet e mëdha me qeverinë e re të VMRO-DPMNE-së, partnerëve të VLEN-it, ku bënë pjesë edhe Vetëvendosja.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka reaguar fare pas pranimit të një letre që kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ia dërgoi atij, Kryeministrit të Shqipërisë, zyrtarëve të lartë evropianë dhe atyre amerikanë, në të cilën shpreh shqetësimet e tij në lidhje me veprimet e qeverisë së re maqedonase në raport me shqiptarët atje.
Për njohësit e çështjeve politike në Maqedoni të Veriut është shqetësuese heshtja e Kurtit, sidomos për faktin se partia e tij aktualisht është pjesë e pushtetit në këtë shtet, përmes deputetit Bekim Qoku, si pjesë e grupit shqiptar “VLEN”, që iu bashkuan Hristijan Mickoskit të VMRO-DPMNE-së.
Duke qenë se qeveria e re maqedonase pati mbështetjen e Kurtit dhe tani e njëjta është duke ndërmarrë veprime të cilësuara si anti-shqiptare, analisti politik shqiptar nga RMV-ja, Valon Bela, konsideron se “ky dëm i diskriminimit kolektiv është pjesë e establishmentit kosovar”.
“Pra, Kryeministri Albin Kurti ishte pjesë e rëndësishme e shtyrjes përpara subjekteve nga VLEN pa i menduar mirë pasojat e futjes së humbësit të zgjedhjeve në Qeverinë e re”, thotë Bela në një prononcim për Albanian Post.
Në letrën e Ahmetit thuhet se tri vendimet e fundit – raportimet për shfuqizimin e Ligjit të Gjuhëve, ndalesa për identifikim të përkatësisë etnike në institucionet shtetërore dhe formimi i shumicës qeveritare – paraqesin kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit në tërësi.
Ahmeti shkroi se këto veprime rrezikojnë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit (marrëveshja që i dha fund luftës në Maqedoni në mes të forcave polico-ushtarake maqedonase dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare me komandat suprem Ali Ahmetin) dhe parimet e barazisë e stabilitetin në vend.
Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, e formuar pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, u konsolidua nga partia nacionaliste maqedonase VMRO-DPMNE-ja (si fituese e zgjedhjeve në taborin maqedonas), koalicioni i disa partive shqiptare “VLEN” (si humbës të zgjedhjeve në taborin shqiptar) – e cila kishte mbështetjen e kryeministrit Kurti – dhe Lëvizja “ZNAM”.
Prandaj, Bela konsideron se fillimisht duhet të përcaktohet fajtori, e që sipas tij “i bie që të jetë Kurti”, i cili, vlerëson ai, “duhet t’i thërras fillimisht mendjes, pastaj t’i thërras pjesëtarët e VLEN dhe t’u jap udhëzime dhe direktiva mbi daljen nga ky diskriminim kolektiv”.
Në të njëjtën linjë është edhe ish-deputeti shqiptar nga radhët e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Ruzhdi Matoshi.
Ai thotë se pret që Prishtina, përkatësisht kryeministri Kurti, t’i thërrasë liderët e “VLEN”-it – duke qenë se vet i ka mbështetur – dhe t’i pyes se çfarë është duke ndodhur në Qeverinë e RMV-së.
“T’i pyes se pse ndërrohen shqiptarët dhe vendosen maqedonasit nëpër vende drejtuese? Pse Gjykata Kushtetuese merr vendime arbitrare të cilat i shkojnë në favor një politike destruktive në aspektin e de-balancimit intra-etnikë në RMV?”, sugjeron Matoshi në një përgjigje për AP.
Sa i përket reagimit që duhet ta ketë Shqipëria për këtë çështje, analisti Bela konsideron se ndërhyrja e kryeministrit Edi Rama, do të ndikonte pozitivisht, derisa përmend angazhimin e tij të mëhershëm ku i kishte bashkuar liderët politikë shqiptarë në RMV rreth një objektivi, në atë që quhej si “Platforma e Tiranës”.
“Rama, nisur nga fakti se është edhe më i pranuar nga të gjithë faktorët relevant të brendshëm dhe të jashtëm, mundet të ndikojë pozitivisht, por kam frikë se si do të kuptohet involvimi i tij pasi që në të kaluarën është stigmatizuar pa nevojë”, thekson ai.
Nga ana tjetër, profesori universitar Matoshi, sugjeron që Tirana, e cila së fundmi ka shënuar progres në integrimin evropian pas hapjes së kapitujve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i “është rritur potenca në aspektin diplomatik në Ballkan”, përveç që të marr informacione nga zyrtarët qeveritarë shqiptarë në RMV, “duhet drejtpërdrejt edhe me qeverinë e RMV-së ta zhvillojë një lloj komunikimi”.
“T’ia bëj me dije se Ballkani Perëndimor, në rastin konkret RMV-ja duhet të hapërojë bashkërisht me etnitë brenda saj duke krijuar një atmosferë pozitive në aspektin e zhvillimeve edhe të politikave publike, edhe arsimore, por edhe të konceptit kushtetues i cili buron si domosdoshmëri nga Marrëveshja e Ohrit dhe ai të shkojë në aspekt pozitiv dhe jo negativ”, konsideron Matoshi.
Sa ka rëndësi letra e Ahmetit dhe çfarë impakti mund të ketë?
Bela konsideron se Ahmeti ka shfrytëzuar këtë moment (shkrimin e letrës) si paralajmërim për një situatë të diskriminimit kolektiv.
“E them si paralajmërim sepse BDI kishte planifikuar edhe protestat mbarëpopullore dhe kjo i bie që të shfrytëzohen të gjitha mjetet demokratike për stopimin e diskriminimit kolektiv kundër shqiptarëve”, shton.
Megjithatë, ai konsideron se absurdi i këtij diskriminimi është çështja se ai po realizohet edhe “përmes subjekteve shqiptare në këtë Qeveri të quajtur si VLEN”, duke shtuar se “kjo e dëshmon përse e kemi quajt këtë Qeveri ‘monoetnike’ sepse VLEN është aty si kukull dhe jo si faktor i rëndësishëm”.
“VLEN nuk po e kupton dëmin që po e shkakton mbi arritjet e shqiptarëve dhe të vet shtetit. Pjesëtarët e VLEN , si të verbuar pas pushtetit, po i mundësojnë Mickoskit të VMRO-së të realizon politikat antishqiptare e që po ndikojnë edhe në migrimin e hovshëm të shqiptarëve”, beson Bela.
Sidoqoftë, në prizmin e tij, me dërgimin e letrës, Ahmeti po dëshmon një qetësi në veprim “përskaj nervozizmit dhe emocioneve që shpërfaq tek shqiptarët nga kjo qasje diskriminuese që ka Qeveria e re e Mickoski-t”.
Ndërsa, Matoshi letrën e Ahmetit, në situatën aktuale politike ku gjenden shqiptarët në RMV, e konsideron “të domosdoshme”.
“Do t’i ketë efektet pozitive dhe natyrisht pres që të ketë reagime”, potencon ai.
Letra e Ahmetit është përkrahur nga Daniel Serwer, profesori amerikan në Universitetin “Johns Hopkins”, si një nga njohësit më të dalluar të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor.
Sa i përket çështjes të gjuhës që theksohet në letër, profesori amerikan rikujton se Marrëveshja e Ohrit është e qartë për këtë çështje.
Aty kërkohet se çdo gjuhë e folur nga më shumë se 20 për qind e popullsisë duhet të jetë bashkëzyrtare me maqedonishten.
“Nuk e shoh se si mund ta vësh në dyshim atë detyrim pa krijuar më shumë probleme sesa ka Maqedonia e Veriut aktualisht. Ishte pjesë e rëndësishme e marrëveshjes së paqes të vitit 2001. Ruajtja e saj është e rëndësishme”, thotë Serwer.
Sa i përket çështjes tjetër, shfuqizimit të “Balancuesit” (mekanizmit që rregullonte përfaqësimin e drejtë dhe adekuatë të bashkësive etnike në administratën publike), njohësi i zhvillimeve në Ballkan pohon se në parim preferon “një sistem që nuk i shikon ngjyrat dhe bazohet në meritë”.
“Por mos-specifikimi i identifikimit etnik të punonjësve të qeverisë nuk do ta bëjë qeverinë ‘të verbër ndaj etnisë’. Emrat kryesisht tregojnë se kush është shqiptar dhe kush është maqedonas. Dyshoj se qëllimi i kësaj propozite është të vazhdojë dominimin aktual të maqedonasve në pozitat e larta të qeverisë”, vlerëson ai.
“Shtirja e verbërisë ndaj ngjyrave nuk do të funksionojë. Maqedonia duhet të diversifikojë punonjësit e sektorit publik që të reflektojë më mirë larminë e popullsisë. Nuk jam mbështetës i kuotave”, shtoi.
Por, sipas tij, veprimi afirmativ me përparësi për kualifikimet është një proces që mund të sjellë rezultate të arsyeshme.
“Shumë shqiptarë kanë një kualifikim që shumica e maqedonasve nuk e kanë: ata flasin të dyja gjuhët. Punësimet në qeveri duhet ta marrin këtë parasysh”.
Sa i përket çështjes së tretë, profesori amerikan thotë se nuk është specifikuar plotësisht.
“Imagjinoj që i referohet pozicioneve të dhëna shqiptarëve etnikë në qeverinë aktuale. Kjo është më shumë një ankesë politike sesa juridike apo kushtetuese. Një nga ankesat kryesore të maqedonasve për qeverinë e mëparshme ishte numri i lartë i shqiptarëve në pozitat kyçe. Fituesit e zgjedhjeve të fundit kërkuan të dobësonin praninë shqiptare, pasi ata fituan zgjedhjet”.
Ai rikujton se rivalët e BDI-së, koalicioni “VLEN”, negociuan me Mickoski-n për formimin e qeverisë së re, ndonëse ishin humbës të zgjedhjeve në taborin shqiptar.
“Nëse e kanë bërë dobët, kjo është një çështje për zgjedhjet e ardhshme. Diplomatët amerikanë dhe evropianë mund ta theksojnë këtë për Kryeministrin, por në thelb nuk është një çështje ndërkombëtare”, konsideron ai.
Në fund, ai i përmblodhi përgjigjet e tij për tri çështjet që Ahmeti i ka paraqitur në letër.
I tha “po Ali Ahmetit për çështjen e gjuhës”, “jo qeverisë për çështjen e identifikimit etnik” dhe “zgjedhësit le të vendosin për çështjen e përfaqësimit të drejtë”.