Sot kur në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nisi procedura për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në Facebook ka apeluar deri tek të gjithe deputetët që të guxojnë dhe të votojnë për këtë vendim, që mundëson rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Europian.
Ahmeti ndër të tjera shkruan se nuk ka më kohë për pritje dhe stagnim, por duhet vendosur për progres.
Statusi i plotë:
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut po fillojmë nga sot debatin mbi ndryshimet kushtetuese, çështjen jetike që do të përcaktojë ecurinë e mëtejshme të procesit eurointegrues.
Mbi supet e të gjithë deputetëve është përgjegjësia e së ardhmes përparimtare që nuk ka shteg tjetër përveç Bashkimit Europian, andaj është koha të dëshmojmë pjekuri, të mos vonohemi drejt përmbushjes së këtij misioni jetik për ne dhe fëmijët tanë.
Sot shumëkush mendon dhe guxon të pengojë ardhmërinë europiane duke manipuluar e tentuar të përfitojë nga situata e brishtë politike, një triumfalizëm ky subjektiv dhe joracional, por i rrezikshëm që mund t’i kushtojë vendit edhe shumë vite tjera pritje dhe pasiguri.
Bëj thirrje deri te gjithë kolegët deputetë, në veçanti deri te opozita që të reflektojnë sa nuk është vonë, të mos lejojnë që emrat e tyre të mbahen mend si shkaktar të stagnimit të vendit.
Rruga drejt Bashkimit Europian nuk do të ndalet, por sot më shumë se kurrë duhet vepruar që hapi të përshpejtohet dhe të realizohet qëllimi madhor deri në vitin 2030!
Bashkë drejt Europës!