Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka pritur sot në Tetovë ambasadorin e ri të Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani.
“Ahmeti përgëzoi ambasadorin Meidani për detyrën e re dhe e siguroi që marrëdhëniet vëllazërore midis tij dhe përfaqësuesve të Shqipërisë në vend do të vijojë si gjithmonë. Ai e njoftoi Ambasadorin Meidani për situatën aktuale politike në vend dhe pasojat që mund të sjell vendimi për të suspenduar dhe mosrespektuar vullnetin e popullit shqiptar të shprehur në zgjedhje demokratike më 8 maj”, njoftojnë nga BDI.
Nga BDI thonë se po cenohet Marrëveshja e Ohrit,
“Po cënohet edhe nga vazalët e ditëve të sotme që po poshtërsojnë shqiptarët çdo ditë e më tepër duka na kthyer pas dhe duke rrënuar të arriturat në aspekt të barazisë në vend”, thuhet mes tjerash.
Nga partia e Ahmetit theksojnë se lideri Ahmeti njoftoi Ambasadorin Mediani për angazhimin e Paul Villiams dhe ekipit të tij të ekspertëve për hartimin e platformës së legjitimitetit dhe moslejimin e nëpërkëmbjes së vullnetit të shqiptarëve.
“Gjithashtu u fol për korridorin 8 dhe u dakorduan që është projekti më i rëndësishëm infrastrukturor historik midis dy vendeve dhe do të vijojë së ndërtuari. Porti i thatë në Strugë, kontrolli i përbashkët i kufirit, ndërtimi i hekurudhës Kërçovë – Durrës, korridori 8, me doemos të vazhdojnë dhe të realizohen në përpikmëri”, bëjnë të ditur nga BDI.