Skandalet dhe degradimi ndaj shqiptarëve nga qeveria monoetnike VMRO-VLEN nuk kanë të ndalur dhe tashmë kanë prekur çdo pore të organizimit shoqëror.
Rasti i fundit i diskriminimit është regjistruar në shkollën fillore të Shemshovës, ku nxënësve të klasave të para po u shpërndahen librat shkollorë vetëm në gjuhën maqedonase. Kjo është goditja më e rëndë që u bëhet nxënësve shqiptarë, të cilët ende pa mësuar alfabetin e shqipes, detyrohen të përballen me libra vetëm në gjuhë tjetër.
Përballë kësaj situate, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës nga radhët e VLEN-it, Lulzim Aliu, shfaqet si figurë dekorative, pa fuqi për të ndërhyrë në proceset vendimmarrëse. Ai interesohet vetëm për rehatinë e zyrës dhe përfitimet personale, ndërsa punët e rëndësishme i vendos ministrja e VMRO-DPMNE-së.
Aleanca për Shqiptarët alarmon për këtë gjendje të rënduar të shqiptarëve dhe i bën thirrje VLEN-it që të braktisë sa më parë këtë qeveri anti-shqiptare. Në të kundërt, përgjegjësia për diskriminimin ndaj shqiptarëve do t’u faturohet atyre.
Më 19 tetor, shqiptarët do të japin shuplakën e parë popullore ndaj vasalitetit të VLEN-it dhe do të flasin qartë me mbështetje plebishitare për Aleancën Kombëtare për Integrim
Turpi dhe faqja e zezë do të mbeten mbi VLEN-in, që çdo ditë mbyll sytë para veprimeve të VMRO-DPMNE-së vetëm për të ruajtur një copë pushtet dhe për të shpëtuar nga përgjegjësia penale që i pret për shkak të skandaleve, krimeve dhe korrupsionit që po zhvillojnë në nivel qendror dhe lokal.
Përgjegjësi do të ketë, dhe secili do të mbajë barrën e fajit për padrejtësitë që po u bëhen shqiptarëve.